Rruga Milot-Fier, reagon Alibeaj: Projekt fantazmë, tenderi nuk ekziston!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se “projekti Milot-Fier është akoma një projekt fantazmë”.

Në një deklaratë për media, ai tha se ky tender ende nuk është shpallur në faqen përkatëse të prokurimeve pavarësisht se ministrja Balluku deklaroi të kundërtën pesë ditë më parë.

Për këtë projekt nuk ka dokumenta, nuk dihet si u përzgjodh, nuk dihet kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion, nuk dihet si u përzgjodh konsulenti që doli në konkluzionin se rruga kushton 1.2 miliardë euro dhe një udhëtim kushton 17.4 euro.

Projekti Milot-Fier është akoma një projekt fantazmë, për të ekzistojnë vetëm fjalët e kryeministrit dhe Ministres së Infrastrukturës. Tenderi nuk ekziston i shpallur në faqen përkatëse të prokurimeve, megjithëse, gjatë shfaqjes propagandistike 5 ditë më parë, Ministrja e Infrastrukturës, premtoi ndryshe.

“Duke filluar nga sot, në orën 12.30, i gjithë dokumentacioni do të jetë i disponueshëm në faqen e APP-së dhe i aksesueshëm për të gjithë të interesuarit”.

As ditën kur u shpall me bujë të madhe, as sot, dokumentat e tenderit nuk ekzistojnë, për faktin e vetëm se nuk ka një punë serioze në interes të qytetarëve, por ka një aferë korruptive”, deklaroi Alibeaj.

Alibeaj i drejtoi disa pyetje ministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama:

“Belinda Balluku, po të dojë, edhe Edi Rama, duhet t’u japin përgjigje të qarta disa pyetjeve elementare: Pse nuk është shpallur akoma tenderi dhe dokumentat e tij?

Si u përzgjodh projekti i Milot-Fier?

Kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion? Si u përzgjodh konsulenti i rrugës 1.2 miliardë euro?

Belinda Balluku duhet të bëjë transparencë dhe të mos fshihet pas fjalive me dy kuptime!

Shqiptarët, të cilët ajo dhe Edi Rama duan i detyrojnë të paguajnë 17.4 euro për një rrugë që është e ndërtuar aktualisht në më shumë se gjysmën e saj, kanë të drejtë të njihen me çdo akt, që përkthehet në kosto marramendëse për ta”./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne