Ruhani dhe Erdogan kërkojnë hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet Teheran-Ankara

Presidenti iranian Hasan Ruhani dhe homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdogan kanë shprehur gatishmërinë e vendeve të tyre për t’i forcuar lidhjet dypalëshe, veçanërisht në fushën ekonomike.

Gjatë një bisede telefonike të mërkurën, të dy presidentët thanë se Irani dhe Turqia dëshirojnë të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe për t’i dhënë një hov të ri bashkëpunimit të tyre ekonomik. “Gjatë katër viteve të fundit, janë ndërmarrë hapa të mëdhenj për të zhvilluar dhe thelluar marrëdhëniet Iran-Turqi, por një hap i ri duhet ndërmarrë në drejtim të arritjes së një vëllimi tregtar vjetor prej 30 miliardë dollarë”-tha z. Ruhani në bisedën me presidentin Erdogan. Presidenti iranian gjithashtu bëri thirrje për promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje në sektorin bankar. Ai theksoi nevojën për rritjen e bashkëveprimit në mes Iranit, Turqisë dhe Rusisë në zhvillimet rajonale, duke përfshirë vazhdimin e bisedimeve në Astana midis palëve ndërluftuese në Siri, për të kontribuar në vendosjen e paqes dhe sigurisë në rajon. Nga ana e tij, Erdogan ka përgëzuar edhe një herë zotin Ruhani për rizgjedhjen e tij në postin e presidentit të Iranit dhe shprehu gatishmërinë e Turqisë për të forcuar lidhjet me Iranin në të gjithë sektorët. Presidenti turk shprehu vendosmërinë e Turqisë për të rritur shkëmbimet tregtare me Iranin në 30 miliardë $ në vit, duke thënë se Ankaraja nuk ka asnjë pengesë në zhvillimin e bashkëpunimit të saj me Teheranin. Ai, gjithashtu, theksoi vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Ankarasë, Moskës dhe Teheranit për të përshpejtuar bisedimet e Astanas që synojnë lehtësimin e një zgjidhjeje politike për krizën siriane./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne