Ruhani: Irani është i gatshëm të bashkëpunojë me BE për të zgjidhur problemet

Presidenti iranian Hasan Ruhani ka rikonfirmuar edhe një herë angazhimin e plotë të Republikës Islamike të Iranit për marrëveshjen historike bërthamore, e cila u nënshkrua me fuqitë e mëdha botërore në vitin 2015, duke shprehur gatishmërinë e Teheranit për të vazhduar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian për të zgjidhur çështjet që lidhen me këtë marrëveshje.

Në një takim me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, të hënën në Teheran, Ruhani kritikoi nënshkruesit e marrëveshjes bërthamore për dështimin për të përmbushur detyrimet e tyre pas tërheqjes së njëanshme të SHBA nga marrëveshja. “Republika Islamike e Iranit është ende e gatshme për bashkëveprim dhe bashkëpunim me Bashkimin Evropian për zgjidhjen e çështjeve dhe saherë që pala tjetër i zbaton plotësisht angazhimet e saj, Irani gjithashtu do të kthehet në angazhimet e tij,” tha Ruhani.

Duke folur për 12 vjet përpjekje të cilat përfundimisht çuan në marrëveshjen historike bërthamore, Presidenti iranian shprehu keqardhje që tërheqja e njëanshme e SHBA nga marrëveshja ka krijuar pengesa dhe probleme të shumta për palët e tjera në rrugën e zbatimit të plotë të marrëveshjes. Duke komentuar pezullimin e zbatimit të angazhimeve të Iranit në kuadër të marrëveshjes bërthamore, ai theksoi se ky veprim përputhet me kuadrin e marrëveshjes bërthamore dhe synon ta ruajë atë. Ruhani theksoi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta nga Irani dhe BE për të zgjidhur çështjet rajonale dhe ndërkombëtare dhe tha: “Republika Islamike e Iranit është akoma e angazhuar të ruajë mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe procesi i mbikëqyrjes do të vazhdojë si më parë, nëse nuk përballemi me kushte të reja “.

Presidenti iranian dënoi politikat amerikane ndaj vendeve të rajonit dhe tha se Uashingtoni ka bërë shumë “gabime strategjike” në Iran, Irak, Liban, Jemen, Siri dhe Afganistan. Diplomati i lartë i BE-së, i cili ndodhet në Teheran në udhëtimin e tij të parë që nga marrja e detyrës, bëri thirrje për më shumë përpjekje për të hequr pengesat në rrugën e zbatimit të marrëveshjes bërthamore dhe tha se palët evropiane fatkeqësisht nuk kanë arritur të zbatojnë detyrimet e tyre. Si shef i politikës së jashtme të BE, Borrell u zotua të bëjë përpjekjet e tij maksimale për të zhvilluar një bashkëveprim të fortë me Iranin në mënyrë që të ruajë marrëveshjen bërthamore./PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne