Ruhani: Jemi pro negociatave me ShBA-në, por jo me këto kushte

Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani deklaroi se janë pro negociatave dhe diplomacisë kundër sanksioneve të ShBA-së, por kjo është e papranueshme në kushtet aktuale.

Ruhani në kryeqytetin Teheran priti në takim klerikët shii të Iranit, ndërsa gjatë takimit ai i bëri një vlerësim sanksioneve të ShBA-së.

“Në 40 vitet e fundit, ‘njerëzit në Shtëpinë e Bardhë’ kanë punuar kundër Iranit dhe planifikojnë të luftojnë kundër vendit tonë me presione dhe armë. Të gjitha këto elemente kanë kulmuar me atë që po ndodh sot”, bëri të ditur Ruhani ndërsa shtoi se “Armiku vazhdimisht donte që Irani të fillonte tensionimin, por ne nuk e bëmë këtë. Brenda vendit disa të tjerë përpiqeshin që të dalim nga marrëveshja bërthamore, por ishte shumë e vështirë t’i rezistohet. Sikur ne të ishim larguar nga marrëveshja me provokime të ShBA-së sot për qeverinë do të ishte shumë më vështirë t’i mbrojë hapat që hedh ndaj popullit. Në një situatë të tillë përveç ShBA-së ndaj vendit tonë do të zbatoheshin sanksionet edhe nga shoqëria ndërkombëtare edhe nga OKB-ja”.

Hasan Ruhani gjithashtu tha se gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së vitin e kaluar, 5 liderët e mëdhenj të botës ndërmjetësuan për takimin me Presidentin Donald Trump.

“Departamenti amerikan i Shtetit 8 herë bëri kërkesë për negociata. Kushtet e sotshme nuk janë të përshtatshme për të negociuar, por janë kushte për rezistencë dhe përpjekje”, bëri të ditur Ruhani.

Në ditët e sotme populli u ballafaqua me kushte të rënda dhe vështirësi, por të gjitha këto nuk kanë të bëjnë me qeverinë dhe se në të kaluarën qeveria ka rritur nivelin e të ardhurave të popullit, tha Ruhani.

Presidenti i Iranit gjithashtu bëri të ditur se kanë nevojë për një mekanizëm vendimmarrëse që të administrojnë më mirë, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Gjatë luftës Iran-Irak u formua një këshill i cili i kishte në dorë të gjitha kompetencat. Parlamenti dhe gjyqësori nuk ndërhynin në vendimet e marra nga ky këshill. Edhe në ditët e sotme kur po jetojmë një luftë ekonomike, duhet të kemi një këshill që do t’i ketë të gjitha këto kompetenca”.

Duke vënë në dukje se në asnjë periudhë nuk kanë hasur në probleme bankare dhe në lidhje me shitjen e naftës dhe nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj sanksioneve të tilla sikur sot, Ruhani tha: “Sot 87 për qind e transferit të parave bëhet nëpërmjet dollarit amerikan. Vendi ynë është i sanksionuar në mënyrë të paligjshme me ndalimin e tregtisë me këtë valutë. Rënia e të ardhurave të qeverisë dhe disponueshmëria e kufizuar e sektorit bankar me botën janë disa nga problemet aktuale”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne