Ruhani: Lëvizja e Vendeve të Paangazhuara mund të neutralizojë impaktin e sanksioneve amerikane

Presidenti iranian Hasan Ruhani ka denoncuar Shtetet e Bashkuara për dominimin e sistemit monetar ndërkombëtar dhe për keqpërdorimin e dollarit, duke thënë se Lëvizja e Vendeve të Paangazhuara (NAM) është e aftë të kundërveprojë ndaj veprimeve të paligjshme të Uashingtonit dhe t’i bëjë joefektive sanksionet amerikane.

“Dominimi i Amerikës mbi sistemin monetar ndërkombëtar ka inkurajuar Shtetet e Bashkuara në disa dekadat e fundit dhe veçanërisht në vitet e fundit që sistematikisht të keqpërdorin dollarin për të ushtruar presion politik ndaj shteteve të pavarura, shumica e të cilave anëtarë të NAM, si dhe të zbatojnë sanksione të ndryshme dhe të kufizojnë hyrjen e këtyre vendeve në sistemet monetare ndërkombëtare “, tha të premten Ruhani në një fjalim në Samitin e 18-të të Krerëve të vendeve të Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara në Baku të Azerbajxhanit. Ai shtoi se masa të tilla amerikane janë një shkelje e drejtpërdrejtë të “lirisë dhe të drejtave të ligjshme të kombeve të pavarura” dhe theksoi se vendet NAM “mund të ndërmarrin hapa të rëndësishëm për të neutralizuar ndikimin e presioneve të tilla”. Ruhani vuri në dukje se angazhimi ndërkombëtar për qëndrueshmërinë ekonomike, zgjerimi i lidhjeve tregtare mbi bazën e traktateve monetare bilaterale dhe shumëpalëshe, aktivizimi i iniciativave të pavarura dhe alternative në shërbimet bankare dhe përdorimi i cryptomonedhave, janë ndër mënyrat për të arritur këtë qëllim. Duke folur mbi konfliktet aktuale në rajone të ndryshme dhe shkeljen e sovranitetit kombëtar të vendeve të pavarura në forma të ndryshme, Ruhani tha se bota “po kalon me shpejtësi në multilateralizëm”. “Sot SHBA po përdor mjete shtypëse ekonomike në mënyrë që të imponojë qëllimet e saj jolegjitime politike ndaj kombeve të pavarura në mënyra kaq të egra dhe arrogante që konsiderohen si terrorizëm ekonomik,” theksoi shefi ekzekutiv iranian. Ai tha se Lëvizja e Vendeve të Paangazhuara, e cila përfaqëson më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, ka potencialin “të jetë pionieri i shoqërisë njerëzore në gjetjen e zgjidhjeve për problemet aktuale globale dhe brenda kornizës së respektimit të  ligjit, përmbushjes së angazhimeve ndërkombëtare dhe të parandalimit të dhunës dhe ekstremizmit “./PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne