Ruhani në bisedë me Putin: Sulmet kundër Sirisë treguan lidhjet direkte të SHBA me terroristët

Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi se lëvizja agresive e SHBA për të kryer sulme ushtarake kundër Sirisë zbuloi se Uashingtoni ka lidhje të drejtpërdrejta me terroristët.

“Amerikanët treguan një reagim të tillë kur ata e ndjenë se terroristët u zhvendosën nga një rajon i rëndësishëm si Ghouta Lindore”, tha të dielën presidenti Ruhani në një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin. Ruhani i tha Putinit se sulmet e përbashkëta ushtarake kundër Sirisë ishin një “masë agresive” që synonte ngritjen e moralit të terroristëve të dështuar. Ai paralajmëroi se nëse agresioni dhe shkelja e hapur e ligjeve ndërkombëtare do të bëheshin të lehta dhe pa kosto, “do të jemi dëshmitarë të një paqëndrueshmërie të re në sistemin rajonal dhe ndërkombëtar”.

Presidenti rus, nga ana e tij, tha se sulmet e kryera nga SHBA dhe dy vende perëndimore kundër Sirisë nën çdo pretekst, ishin një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar dhe një krim ndërkombëtar. Putin tha se sulmi me raketa ndaj Sirisë u krye para njoftimit të rezultateve të hetimeve mbi përdorimin e armëve kimike në Siri. Ai shtoi se Kombet e Bashkuara u krijuan për të ndërtuar konsensus midis vendeve, dhe kjo organizatë nuk duhet t’u shërbejë interesave politike të fuqive të caktuara, sepse kjo do të krijonte më shumë kaos në skenën ndërkombëtare. Presidenti rus theksoi se veprimet e agresive nuk do të ndalonin luftën e vendit të tij kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në rajon, veçanërisht në Siri. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e më shumë përpjekjeve dhe konsultimeve midis Iranit, Rusisë dhe Turqisë në mënyrë që të rivendosin paqen dhe stabilitetin në Siri pas sulmeve ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne