Rusi, mijëra pjesëmarrës në garën spektakolare Color Run në Moskë

Mijëra sportistë dhe amatorë sot morën pjesë në garën spektakolare Color Run në Moskë, e cila është një lloj prove para maratonës së shtatorit në kryeqytetin e Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gara e larme edhe këtë vit ka tërhequr vëmendjen e opinionit, kurse pjesëmarrësit në çdo kilometër u gjuajtën me pluhur me ngjyra të ndryshme, kurse në finish u pritën me fishekzjarre spektakolare dhe argëtim.

Në mesin e mbi 7.000 pjesëmarrësve ishin edhe fytyra të njohura nga bota e sportit, në mesin e të cilëve edhe kampionë të dyfishtë olimpik në patinazh artistik në akull Tatiana Volosozhar dhe Maksim Trankov, si dhe fituesit e medaljes së arit në ‘snowboard’ Vic Wild dhe Alena Zavarzina.

Drejtori i maratonës së Moskës Dmtriy Tarasov tha se ngjarje të tilla sportive karakterizohen me argëtim i cili i inkurajon njerëzit të bëjnë sport, dhe shprehu kënaqësinë se Run Color tërheq gjithnjë e më shumë sportistë.

“Qëllimi ynë është që Color Run të tubojë 20 mijë vrapues sikur gara në SHBA. Qëllimi ynë është që përmes promovimit të presim që maratona e Moskës të mbledh 40 mijë atletë. Vitin e ardhshëm do të kemi edhe më shumë ngjarje dhe për disa vite do të arrijmë qëllimet tona”, tha Tarasov.

Maratona e Moskës është planifikuar për 24 shtator, kurse deri më tani janë mbajtur disa gara që janë një lloj i promovimit të maratonës. Në korrik, do të mbahet edhe gara e natës në dhjetë kilometra dhe në gusht gara “Luzhniki”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne