Rusi – Zakharova: Deklaratat e gjeneralit amerikan, “një kërcënim të papërgjegjshëm”

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e quajti “një kërcënim të papërgjegjshëm” deklaratën e gjeneralit Jeffrey L. Harrigian, komandant i Forcave Ajrore të SHBA-së në Evropë, Afrikë dhe NATO, se janë të gatshëm për t’iu përgjigjur në çast agresionit të mundshëm rus në Evropë.

Duke folur para gazetarëve të premten në Moskë, Zakharova tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po veprojnë pa pikë përgjegjësie lidhur me sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.

“Ne e cilësojmë këtë si një kërcënim të papërgjegjshëm. SHBA-ja po e bën këtë në mënyrë të papërgjegjshme për koniunkturën e saj politike, ndoshta edhe për shkak të procesit zgjedhor në vend”, u shpreh ajo.

Kurse Ministria e Mbrojtjes së Rusisë bëri me dije se “zona e Kaliningradit është e mbrojtur mirë kundër planeve agresive që gjeneralët amerikanë të trullosur zhvillojnë në Evropë”.

Gjenerali Harrigian deklaroi pak ditë më parë gjithashtu se janë të gatshëm për të sulmuar sistemin e mbrojtjes ajrore në zonën e Kaliningradit në rast të një agresioni të mundshëm rus në Evropë./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne