Bota

Rusia: Aeroplanët amerikanë F-22 po pengojnë sulmet tona ndaj ISIS-it

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë akuzoi SHBA-në, se aeroplanët e saj luftarakë po pengojnë aeroplanët luftarakë rusë në operacionet kundër Shtetit Islam.

Nga ana tjetër, New York Times shkruan se Pentagoni ka akuzuar aeroplanët rusë se po fluturojnë shumë afër tyre në hapësirën ajrore mbi Sirinë.

Por, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, ka hedhur poshtë pohimet duket thënë se aeroplanët amerikanë F-22 kanë shkrepur plumba të rremë dhe vazhdimisht kanë kryer manovra për të simuluar luftën në ajër.

“Pala amerikane me rastin e këtij dhe shumë incidenteve tjera në hapësirën mbi Siri nuk është përgjigjur ndaj komandave ruse nga baza Hmej në Siri”, deklaroi Konashenkov.  Sipas tij, shumica e takimeve të afërta të forcave ajrore ruse-amerikane në rajonin Eufrat janë shkaktuar nga amerikanët, të cilët siç shprehet Konashenkov, “po pengojnë shkatërrimin e terroristëve të ISIS-it”.

“Për dallim nga forcat ajrore ruse të mbrojtjes, koalicioni ndërkombëtar me në krye SHBA-në po veprojnë në mënyrë jo ligjore në Siri”, tha Konashenkov.