Rusia akuzon: SHBA synon të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale ruse

Moska ka akuzuar Uashingtonin se përmes sanksioneve ekonomike po tenton të ndikojë në zgjedhjet presidenciale ruse. Qëndrimi është artikuluar nga zëdhënësi i Presidentit Putin, Dimitry Peskov, i cili në një komunikim me mediat është shprehur se fakti që po përgatiten masa të tjera penalizuese ndaj të ashtuquajturve oligarkëve rusë kur pritet mbajtja e zgjedhjeve, po shihet nga Kremlini si një tentativë për të dëmtuar procesin.

“Ne sigurisht që mendojmë se kjo është një tentativë e qartë për të ndikuar në zgjedhje, pasi koha e sanksioneve përputhet me to. Megjithatë, kemi besim se ato nuk do të ndikojnë dhe se qytetarët do të votojnë të lirshëm. Sa i përket qëndrimit tonë, do të presim publikimin e informacionit dhe më pas do të marrim një vendim.”

Shtetet e Bashkuara po përgatiten që të prezantojnë një skemë të re sanksionesh e cila mendohet se do të prekë të ashtuquajturit oligarkët rusë si dhe funksionarë të lartë të qeverisë së Moskës. Për këtë arsye, Kremlini e sheh lëvizjen si një qasje armiqësore ndaj procesit demokratik që do të zhvillohet në Rusi në muajin mars. Kujtojmë që Presidenti Putin ka konfirmuar garimin për një mandat të katërt, ku edhe mbetet kandidati favorit për të fituar zgjedhjet.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne