Rusia bën thirrje për përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve për Idlibin

Rusia ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve mes Ankarasë dhe Moskës në lidhje me Idlibin në veriperëndim të Sirisë.

“Nëse oficerët ushtarakë, diplomatët dhe përfaqësuesit e shërbimeve të sigurisë bëjnë përpjekje, marrëveshjet mund të përkthehen në gjuhën e veprimeve praktike”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, në një konferencë për media në Moskë.

Ai gjithashtu tha se presidentët e Turqisë dhe Rusisë kanë zhvilluar bisedë telefonike dhe kanë konfirmuar përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjes së Soçit.

“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të plotë për marrëveshjet që janë arritur midis presidentëve të Rusisë dhe Republikës së Turqisë për atë që duhet të bëhet në zonën e deeskalimit në Idlib: Të ndahet opozita normale nga terroristët, të demilitarizohet linja në këtë zonë dhe për të sigurohet përdorimi i pakufizuar i autostradave që kalojnë nëpër këtë zonë”, tha ai.

Duke komentuar sulmin e fundit të regjimit sirian ku u martirizuan 33 ushtarë turq, Lavrov tha se pala turke nuk e informoi palën ruse për praninë e personelit ushtarak në zonën ku ndodhi sulmi, një pretendim që mohohet nga Turqia.

Lavrov tha se “sapo ushtria ruse u informua për incidentin, ajo kërkoi që forcat e regjimit të ndalonin ofensivën për të siguruar një evakuim të sigurt” të ushtarëve turq të plagosur dhe martirizuar.

Më herët gjatë ditës, ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha se lokacioni i forcave turke i ishte bërë i ditur Rusisë.

“Ky sulm ka ndodhur pavarësisht se vendet ku gjenden njësitet tona janë koordinuar paraprakisht me zyrtarët e Federatës Ruse në terren”, tha Akar para përfaqësuesve të mediave në provincën Hatay në jug të Turqisë.

Ushtarët turq që ndodhen në Idlib janë angazhuar në mbrojtje të civilëve lokalë sipas marrëveshjes të shtatorit 2018 me Rusinë, e cila ndalon aktet e agresionit në rajon.

Lavrov gjithashtu shprehi ngushëllime për familjet e ushtarëve turq që humbën jetën në sulm.

“Shprehim ngushëllimet tona dhe përsëris po bëjmë gjithçka që është e mundur për të garantuar sigurinë e personelit ushtarak turk që po mundësojnë regjimin e deeskalimit në zonën në Idlib dhe ushtria jonë në terren është e gatshme të vazhdojë këtë punë”, tha ai.

Lavrov tha se negociatorët rusë dhe turq janë pajtur që të vazhdojnë bisedimet për Idlibin.

Që kur Turqia dhe Rusia arritën marrëveshje për Idlibin në vitin 2018 sipas së cilën duhej të ishin të ndaluara aktet e agresionit, më shumë se 1.300 civilë janë vrarë në sulmet e Asadit dhe forcave ruse në zonë, pasi armëpushimi vazhdon të shkelet.

Zona e deeskalimit aktualisht është vendstrehimi për 4 milionë civilë përfshirë qindra mijëra të zhvendosur vitet e fundit nga forcat e regjimit në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta.

Më shumë se 1.7 milionë sirianë kanë lëvizur afër kufirit turk për shkak të sulmeve intensive.

Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme civile në Siri në vitin 2011, Turqia ka pranuar rreth 3.7 milionë sirianë që ikën nga vendi i tyre, duke e bërë atë vendin me më shumë refugjatë në botë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne