Rusia do të rihapë ambasadën në Libi

Rusia do të rihapë ambasadën e saj në Libi edhe pse do të vendoset përkohësisht në Tunizi, deklaroi të premten ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov.

“Dua t’ju informoj se kemi vendosur të rihapim Ambasadën e Rusisë në Libi, e cila në këtë fazë do të drejtohet nga i ngarkuari me punë, z. Jamshed Boltaev”, tha ai në një takim me Aguila Saleh, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve pro-Haftar në qytetin lindor Tobruk.

“Ai përkohësisht do të vendoset në Tunizi, por dua të theksoj se funksionet e tij sugjerojnë përfaqësimin e Rusisë në gjithë territorin e Libisë”, shtoi Lavrov.

Lavrov vlerësoi nismën e Saleh për ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive dhe fillimin e dialogut politik për krijimin e autoriteteve të unifikuara mbi bazën e përfaqësimit të barabartë të tre rajoneve historike të Libisë.

Ai tha se Deklarata e Kajros për Libinë është në përputhje me vendimet e konferencës ndërkombëtare për Libinë në Berlin dhe mund të bëhet baza e diskutimeve ndër-libiane për zbatimin e nismës së Saleh.

Rusia mirëpret bashkimin e Hamas-it dhe Fatah-ut

Duke iu referuar konfliktit palestinezo-izraelit, Lavrov vlerësoi vendimin e Hamasit dhe Fatahut që së bashku të mbrojnë interesat e palestinezëve në platformën e Organizatës së Çlirimit të Palestinës.

“Ne besojmë se sot, më shumë se kurrë, përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare janë të nevojshme për të krijuar kushte për rifillimin e menjëhershëm të negociatave të drejtpërdrejta palestinezo-izraelite, nën ombrellën e Kuartetit në Lindjen e Mesme me pjesëmarrjen aktive të shteteve arabe”, tha ai.

Lavrov paralajmëroi se një “shkelje e rëndë e legjislacionit ndërkombëtar” për zgjidhjen palestinezo-izraelite do t’i japë fund perspektivave për zgjidhje dyshtetërore dhe do të jetë përplot me pasoja të paparashikueshme në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

I inkurajuar nga e ashtuquajtura “Marrëveshja e Shekullit”, Izraeli pritet të aneksojë zyrtarisht pjesë të Bregut Perëndimor këtë muaj.

Plani ka tërhequr reagime, dënim dhe zemërime të shumta ndërkombëtare.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, shihet si territor i okupuar sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë kështu të gjitha vendbanimet hebraike atje, si dhe aneksimin e planifikuar, si të paligjshme.

Rusia u kërkon vendeve arabe të rivendosin Sirinë në Ligën Arabe

Përsa i përket Sirisë, Lavrov i kërkoi Ligës Arabe “të kthejë Sirinë në familjen arabe” dhe t’i japë fund përpjekjeve për izolimin e vendit.

Ai gjithashtu bëri thirrje për të zgjidhur çështjen e rikthimit të Sirisë në Ligën Arabe “bazuar në drejtësi dhe duke marrë parasysh interesat e tërë botës arabe dhe islame”.

Lavrov tha se presidentët e Rusisë, Turqisë dhe Iranit konfirmuan në një video-konferencë më 1 korrik se problemi sirian mund të zgjidhet “ekskluzivisht duke inkurajuar dialogun mes vetë sirianëve”.

Ai tha se rivendosja e pranisë diplomatike arabe në Damask do të mbështeste dialogun brenda-sirian dhe mirëpriti vendet arabe që tashmë i kanë kthyer misionet e tyre diplomatike në vend.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne