Rusia e njeh të drejtën e Turqisë për vetëmbrojtje

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Rusia e njeh të drejtën e Turqisë për vetëmbrojtje, pasi Ankaraja planifikon të nis operacion në lindje të lumit Eufrat në Sirinë veriore.

“Ne jemi të vetëdijshëm për veprimet e Turqisë për të garantuar sigurinë e saj dhe ne i pranojmë ato”, tha Peskov para përfaqësuesve të mediave.

Ai tha se shteti i tij shpreson që Turqia do të respektojë parakushtin e integritetit territorial të Sirisë.

Më herët, zëdhënësi i presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, tha se shteti i tij nuk ka pretendime ndaj territorit të asnjë shteti.

“Si pjesë e integritetit territorial të Sirisë, zona e sigurt planifikon dy qëllime, të sigurojë kufijtë tanë duke eliminuar elementet terroriste dhe të sigurojë kthimin e sigurt të refugjatëve”, shkroi Kalın në twitter.

Që nga viti 2016, operacionet e Turqisë “Dega e Ullirit” dhe “Mburoja e Eufratit” në Sirinë veriperëndimore kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke e bërë të mundur kthimin në shtëpi të sirianëve që kishin ikur nga dhuna.

Turqia që moti ka denoncuar kërcënimin nga terroristët në lindje të Eufratit në veri të Sirisë, duke u zotuar për veprim ushtarak për të parandaluar formimin e një “korridori terrorist” atje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e organizatës terroriste PKK./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne