Rusia fajëson agjenturat amerikane dhe britanike për helmimin e Skripalit

Shefi i zbulimit i Rusisë akuzoi agjencitë britanike dhe ato amerikane të zbulimit si autore të helmimit të ish spiunit rus dhe vajzës së tij në Britani muajin e kaluar.

Dy viktimat e helmimit mbeten ende në spital.

Duke folur në një konferencë ndërkombëtare për sigurinë të organizuar nga Rusia, drejtori i Shërbimit të Huaj Informativ Sergej Naryshkin tha sot se helmimi i Sergei Skripal-it dhe vajzës së tij Julia është një përpjekje amerikane për të minuar Rusinë, e ngjashme me praktikat e Luftës së Ftohtë.

“Edhe pse “rasti Skripali” ishte një provokim i madh, i përgatitur me shumë kujdes nga shërbimet sekrete amerikane e britanike, disa vende evropiane u përpoqën të mos i ndjekin ato dhe të përdorin logjikën”, tha zoti Naryshkin.

Britania ka fajësuar Rusinë për sulmin me agjent nervor, një akuzë që Rusia e ka mohuar me forcë.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe një sërë shtetesh të tjera kanë dëbuar rreth 100 diplomatë rusë lidhur me sulmin ndërsa Rusia u hakmorr duke dëbuar shumë diplomatë perëndimorë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne