Bota

Rusia kundërshton sanksionet e reja amerikane ndaj Iranit

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se Rusia kundërshton sanksionet e reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbi Iranin.

Ryabkov në Moskë tha se situata në rajon do të përkeqësohet më tej nga sanksionet e reja që i paralajmëroi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

“Në vend që të avokojë për vendosjen e dialogut, SHBA-të vazhdimisht kërcënojnë Iranin me sanksione të reja. Këto sanksione do ta bëjnë situatën më të vështirë. Ky është tregues se bëhet fjalë për nxitje të vetëdijshme të krizës”, tha Ryabkov.

Një takim mbi çështjen iraniane do të mbahet në Vjenë më 28 qershor, ndërsa Ryabkov tha se takimi do të mbahet nën kushte të vështira.

“Partnerët evropianë në marrëveshjen mbi programin bërthamor iranian kanë filluar të luajnë lojën e përbashkët me SHBA-të me qëllim që të ashpërsojnë politikën ndaj Iranit”, tha Ryabkov./AA

OPINIONE