Rusia: Marrëveshja S-400 është e kryer

Zëdhënësi i Kremlimit, Dimitriy Peskov, e ka cilësuar si negativ qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kundrejt Turqisë në lidhje me blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para gazetarëve në Moskë, Peskov kritikoi pozicionin e SHBA-së lidhur me blerjen e sistemit S-400, duke thënë se ky qëndrim i Washingtonit është i papranueshëm.

“Rusia e konsideron si tejet negativ një qasje të tillë. Ashtu siç ka deklaruar edhe Ankaraja, marrëveshja S-400 është marrëveshje e kryer dhe e finalizuar”, tha Peskov.

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar më herët njoftoi se personeli turk ka shkuar në Rusi për të marrë trajnimin e duhur për sistemet S-400.

Ndryshe, blerja e sistemit raketor rus ka shkaktuar tensione ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë, ndërsa Washingtoni ka deklaruar se kjo se do të rrezikojë rolin e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35 dhe mund të nxisë Kongresin të miratojë sanksione.

Turqia vendosi të blejë sistemin S-400 në vitin 2017, pas përpjekjeve të dështuara për të blerë sistemet e mbrojtjes ajrore nga SHBA./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne