Rusia paralajmëron për keqësimin e situatës në Gjirin Persik dhe Siri

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov tha se situata në Gjirin Persik dhe Sirinë është shumë e rrezikshme.

Lavrov bashkë me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu realizuan në Moskë një takim në formatin 2+2 me homologët e tyre egjiptianë Samih Shukri dhe Muhamed Zeki.

Në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit, Lavrovi vlerësoi politikën e ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

“Është një gjë e keqe të luftosh kundër një shteti në një rajon të çfarëdoshëm të botës, të bësh përpjekje për ta izoluar atë, për ta akuzuar atë për çdo incident pa bërë më parë hulumtime. Një qasje e tillë nuk është produktive”, theksoi Lavrov.

Duke vënë në dukje se situata në Gjirin Persik dhe Siri është e rrezikshme, shefi i diplomacisë ruse tha: “Përpjekjet për ta kthyer territorin sirian në një zonë konflikti midis Izraelit dhe Iranit e thellojnë edhe më shumë krizën”.

Lavrov tha se Rusia e mbështet dialogun midis Iranit dhe arabëve për sigurinë në Gjirin Persik.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme të Egjiptit, Shukri, pyetjes “Çfarë dobie ka pjesëmarrja e Egjiptit në Konferencën e Bahrejnit?” iu përgjigj kështu: “Politika jonë në mbështetje të palestinezëve nuk na pengon të takohemi në platforma të ndryshme me të gjitha palët e interesuara në çështjen palestineze”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne