Bota

Rusia parandaloi një sulm terrorist në saje të Turqisë

Shërbimi rus i sigurisë ka parandaluar një sulm të mundshëm terrorist në Shën Petersburg, falë ndihmës turke, deklaroi të mërkurën drejtori i shërbimit rus të sigurisë, Alexander Bortnikov.

Në një fjalim të mbajtur në kuadër të konferencës ndërkombëtare të sigurisë që po mbahet në Moskë, kreu i inteligjencës ruse, Bortnikov, tha se vitin e kaluar ishte planifikuar një sulm terrorist, i cili për objektiv kishte pasur qytetin Shën Petersburgut në vigjilje të kremtimeve të Vitit të Ri.

Siç tha ai, edhe SHBA-të kishin paralajmëruar Rusinë mbi një sulm të mundshëm terrorist në Shën Petersburg, gjatë festimeve të Vitit të Ri.

“Në të njëjtën kohë, u parandalua një tjetër sulm terrorist, falë informatave të marra nga partnerët tanë turq. Kjo ndihmoi për shpëtimin e qindra jetëve, që është një shembull i bashkëpunimit të përgjegjshëm anti-terrorist”, tha Bortnikov, për të shtuar se terrorizmi global mund të mposhtet vetëm me përpjekje të përbashkëta të shërbimeve të inteligjencës. (AA)

OPINIONE