Rusia përgatitet për luftë, aktivizon radarët

Rusia ka aktivizuar tre stacione të radarëve për paralajmërim të hershëm, që të identifikojë sulmet me raketa afër kufirit juglindor, duke përfshirë kufirin e saj me Korenë Veriore.

Testimet e vazhdueshme të Penianit dhe kërcënimet serioze të SHBA kanë rritur frikën për ndonjë konflikt të mundshëm. Zëvendëskomandati për forcat ajrore ruse, Aleksandr Golovko, ka njoftuar se “për herë të parë në histori”, detektorët e raketave, Voronezh kanë filluar punën e tyre në rajonet, Krasnojarsk, Altai dhe Orenburg. Stacionet e reja të radarëve janë afër kufirit të Rusisë me Kazakistanin dhe Mongolinë, mirëpo në një rreze veprimi prej 6,000 kilometrash kanë edhe Gadishullin Korean. Kremlini ka aktivizuar sistemet e radarëve Vorenezh-DM, për të mbuluar aktivitetin e kufijve perëndimorë më 2011. Moska i ka testuar pajisjet më herët gjatë këtij viti pasi në qershor ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se sistemi me bazë në Krasnojarsk, ka vërejtur nisjen e gjashtë raketave balistike në verilindje të Paqësorit. Golovko nuk e ka përmendur ndonjë shtet si rrezik. Mirëpo ky hap i Rusisë vjen në kohën e rritjes së tensioneve me Korenë Veriore, pasi kjo e fundit po teston vazhdimisht bomba bërthamore dhe raketa balistike, ndërsa Uashingtoni përpiqet të rrethojë Korenë Veriore jo vetëm me sanksione, por edhe me forcë ushtarake. Rusia ka kundërshtuar ambiciet e Penianit për armë bërthamore, mirëpo po ashtu ka akuzuar Uashingtonin për armiqësim me Korenë Veriore, duke u bërë thirrje të dyja palëve për dialog të drejtpërdrejtë.

Një këshilltar i lartë i Kremlinit ka thënë më herët gjatë këtij muaji se qëllimi kryesor i Moskës është të parandalohet lufta, mirëpo është duke përgatitur një skenar në rast se situata përshkallëzohet. Është e qartë se Rusia dhe Kina nuk e dëshirojnë një luftë në gadishullin Korean e aq më pak afrimin e SHBA në kufijtë e tyre. Si rrjedhim, dy shtetet e fuqishme po marrin masa për tu përgatitur në rast të një konflikti eventual në gadishullin Korean. Përtej kufirit të Koresë së Veriut në provincën kineze Jilin, forcat kineze zhvilluan një stërvitje për mënyrën se si të mbijetojnë në një shpërthim bërthamor. Misioni nuk përmendte Korenë e Veriut, por nuk ka nevojë. Por përgatitjet e Kinës jo vetëm tregojnë një qasje mbrojtëse dhe të vëzhgimit. Forca ajrore e Kinës angazhohet në stërvitje përgjatë “rrugëve dhe zonave ku nuk ka vepruar kurrë më parë” në këtë muaj, me avionë mbikëqyrës pranë gadishullit Korean, sipas gazetës “Morning China”. Manovrat e Rusisë dhe të Kinës në afërsi të kufijve të Koresë së Veriut mund të jenë një shenjë e kobshme mbi perspektivën e krizës në gadishullin Korean, ku shanset për një zgjidhje diplomatike të krizës po zbehen gjithnjë e më shumë./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne