Bota Opinion

Rusia përgatitet për përgjigje ndaj sulmit amerikan me raketa në Siri

Alexander Mercouris

Presidenti Putin kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, pasi Rusia po vendos të forcojë mbrojtjen ajrore siriane pas sulmit me raketa të SHBA-së.

Dje, pak pas sulmit amerikan me raketa në bazën ajrore Sharyat të Sirisë, Presidenti Putin u takua me Këshillin e Sigurimit të Rusisë për të diskutuar mbi sulmin amerikan.

Këshilli i Sigurimit të Rusisë, për ata që nuk e dinë, është organi më i lartë vendimmarrës i qeverisë ruse. Ai mblidhet rregullisht çdo javë nën kryesimin e Putinit, dhe përgjegjësia e tij mbulon çdo aspekt të politikës ruse. Kjo përfshin politikën e brendshme dhe ekonomike, si dhe politikën e jashtme dhe të mbrojtjes.

Të gjithë njerëzit më të rëndësishëm të cilët përbëjnë udhëheqjen politike të Rusisë – duke përfshirë kryeministrin Medvedev dhe folësit e dy dhomave të parlamentit të Rusisë (Duma dhe Këshilli i Federatës) – janë anëtarë, dhe anëtarësimi në të nuk është i kufizuar vetëm për krerët e mbrojtjes ruse dhe agjensitë e sigurisë kombëtare, edhe pse natyrisht të gjithë ata janë anëtarë.

Unë do të thoja se është një nga përjashtimet më të mëdha të raportimit perëndimor të Rusisë që ekzistenca e këtij organi kryesor të krijimit të politikave mezi është e njohur, dhe në mediat perëndimore nuk është e diskutuar.

Edhe pse Këshilli i Sigurimit ka takime të rregullta javore, ai gjithashtu mund të takohet në seanca të jashtëzakonshme, dhe takimi i cili u mbajt dje ishte pikërisht ky lloj takimi. Kremlini – siç ai pa ndryshim bën – ka dhënë një përmbledhje të shkurtër të asaj që u diskutua gjatë takimit, edhe pse si gjithmonë përmbledhja është e shkurtër dhe joinformative:

Pati një diskutim të detajuar të situatës në Siri, në vazhdën e sulmeve raketore amerikane. Veprimet e Uashingtonit u kualifikuan përsëri si agresion dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Pjesëmarrësit e takimit shprehën shqetësim të thellë në lidhje me pasojat e pashmangshme negative të këtij akti agresiv në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar terrorizmin.

Partitë thanë se është për të ardhur keq që marrëdhëniet dypalëshe ruso-amerikane janë dëmtuar si pasojë e sulmeve në bazën ajrore siriane.

Takimi konsideroi edhe çështje të ndryshme që lidhen me operacionet e vazhdueshme të Forcave ruse të Hapësirës ​Ajrore për të mbështetur operacionet kundër terrorizmit nga forcat e armatosura siriane.

Pjesëmarrësit prekën gjithashtu çështjet aktuale në rendin e brendshëm social-ekonomik të ditës.

Përmbledhja gjithashtu ofroi një listë të atyre që morën pjesë në takim. Siç mund të presim nga një takim i organizuar me nxitim dhe me qëllim për të diskutuar mbi një çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes kombëtare – sulmi raketor amerikan në Siri – të pranishëm ishin krerët e mbrojtjes dhe të agjensive të inteligjencës së Rusisë. Përveç kryeministrit Medvedev, zyrtarët civilë të tillë si ministri i jashtëm Lavrov dhe folësit e dy dhomave të parlamentit të Rusisë nuk ishin të pranishëm.

Ka pasur disa spekullime në Perëndim se sulmi amerikan në Siri do të çojë në një rivlerësim të politikës ruse dhe do t’i japë SHBA-së më shumë mundësi për negociata me rusët mbi Sirinë.

Përmbledhja e diskutimit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë sugjeron se asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta sesa kjo. Jo vetëm që rusët e kualifikojnë sulmin amerikan si “agresion dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, por fjalët “Takimi konsideroi edhe çështje të ndryshme që lidhen me operacionet e vazhdueshme të Forcave ruse të Hapësirës ​Ajrore për të mbështetur operacionet kundër terrorizmit nga forcat e armatosura siriane” sugjerojnë se larg nga të planifikuarit e një tërheqjeje, rusët synojnë një përshkallëzim. Hapi i parë që rusët morën pas takimit të Këshillit të Sigurimit – dhe që pa dyshim është urdhëruar prej tij – mbyllja e linjës telefonike mes ushtrive ruse dhe amerikane në Siri – tregon të njëjtën gjë.

Arsyeja për këtë vendim është se rusët pothuajse me siguri mendojnë se SHBA-ja e ka përdorur informacionin e dhënë nga rusët nëpërmjet linjës telefonike për të përcaktuar se ku janë pozicionuar ushtarakët rusë në Siri. Në këtë mënyrë SHBA-ja qe në gjendje të sulmonte bazën ajrore Sharyat, duke ditur se kishte aspak ose shumë pak personel rus atje. Rusët nuk shohin asnjë arsye për të “ndihmuar” SHBA-në në kryerjen e më shumë sulmeve ajrore në Siri, duke u ofruar atyre atë lloj informacioni në të ardhmen, dhe ata kanë marrë tashmë hapat e nevojshëm për të siguruar që informacioni të mos jepet.

Një tjetër vendim që u mor nga Këshilli i Sigurimit ishte marrja e masave për të forcuar forcat e mbrojtjes ajrore të Sirisë. Ushtria ruse ka njoftuar tashmë se kjo është ajo që do të ndodhë, dhe gjatë javëve të ardhshme do të fillojnë të merren hapat për këtë qëllim.

Gabimi themelor që bëjnë në mënyrë të përsëritur ekspertët perëndimorë që shkruajnë për përshkallëzimin ushtarak nga ana e Perëndimit në Siri, është se ata vazhdimisht nënvlerësojnë vendosmërinë e palës tjetër. Që nga fillimi i konfliktit sirian, çdo lëvizje që kanë bërë fuqitë perëndimore dhe aleatët e tyre në Gjirin Arabik dhe në Turqi në fushatën e tyre për të përmbysur qeverinë e presidentit Asad, ka qenë përballur të paktën me një kundër-lëvizje ekuivalente dhe shpesh më të fuqishme, të ndërmarrë qoftë nga sirianët apo aleatët rusë dhe iranianë. Ata që e njohin historinë e luftës së Vietnamit duhet të jenë të njohur me këtë model, dhe me verbërinë perëndimore e cila çon drejt tij. Disa dekada që nga përfundimi i luftës së Vietnamit asgjë në këtë aspekt nuk duket se ka ndryshuar. / © Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA