Rusia refuzon kërkesën e Izraelit për Iranin

Rusia thuhet se refuzoi një kërkesë izraelite për të mbajtur këshilltarët ushtarakë iranianë larg nga lartësitë e pushtuara të Golanit.

Sajti informativ Ynetnews i Izraelit njoftoi të shtunën se Moska kishte hedhur poshtë kërkesën e Izraelit për të larguar këshilltarët ushtarakë iranianë 80 kilometra larg nga lartësitë Golan. Më parë këtë javë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mbajti një takim privat me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Kryeministri izraelit tha se Tel Avivi “nuk do të ndërmarrë veprime kundër” qeverisë së presidentit sirian Bashar Asad dhe i kërkoi Moskës “të nxjerrë iranianët nga Siria”, citon Reuters Netanjahun duke i thënë Putinit në takim. Ndërkohë, ministri izraelit i luftës kërcënoi të vepronte kundër asaj që ai e quajti “ngulitje iraniane në Siri”. “Lidhur me një tërheqje në 40 kilometra ose 80 kilometra, nuk ka rëndësi … në momentin kur shohim praninë iraniane, ne marrim masa dhe kështu do të vazhdojmë”, tha Avigdor Liberman. Andrei Kortunov, kreu i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare të Rusisë, u citua kohët e fundit të thoshte se edhe nëse Putini do binte dakord të hiqte këshilltarët iranianë nga Siria, Irani gjithashtu duhet të angazhohej për këtë. “Ju mund të lëvizni forcat iraniane me 50 ose 80 ose 100 kilometra larg nga lartësitë Golan, por nëse infrastruktura mbetet aty dhe nëse ky territor ende kontrollohet nga Damasku, atëherë nuk do të jetë e vështirë të rikthehen forcat iraniane ,” shtoi ai.

Megjithatë, Ali Akbar Velajati, një këshilltar i lartë i Liderit të Revolucionit Islamik të Iranit, theksoi se Irani nuk do të largohej nga Siria përballë kërcënimeve të SHBA.”Ne do të largohemi nga Siria vetëm kur zyrtarët sirianë i thonë Iranit se nuk kanë më nevojë për këshilla ushtarake”, tha ai në një fjalim në Klubin Valdai në Moskë.

“Irani ka në plan të vazhdojë praninë e tij ushtarake në Siri. Besoj se nëse Irani dhe Rusia do të largohen nga Siria, të njëjtët terroristë do të kthehen prapë,” tha Velajati. Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha më 4 korrik se Irani ishte një nga lojtarët kryesorë në rajon dhe se do të ishte “absolutisht jorealiste” që dikush të priste që Irani të braktiste interesat e tij në Siri./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne