Rusia: Shërbimi britanik mund të ketë vrarë Skripalët për provokim

Ambasada Ruse në Tiranë ka shpërndarë për mediat një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse.

“Autoritetet britanike kanë demonstruar sistematikisht paaftësinë e tyre për të garantuar sigurinë e shtetasve rusë në territorin e Britanisë së Madhe. Raste të tilla flagrante përfshijnë ndër të tjera helmimin e ish-nëpunësit të FSB-së ruse Aleksandër Litvinenko, vdekjen në rrethana të pazbardhura të biznesmenëve rusë Badri Patarkacishvili dhe Alexandër Perepeliçni, “vetëvrasjen” misterioze të Boris Berezovskit, mbytjen e partnerit të tij të biznesit Nikolaj Glushkov dhe së fundmi atentatin ndaj jetës dhe shëndetit të Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij Julia” – thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës në rastin e fundit, Londra i shpërfilli të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare, etikës, po edhe gjykimit të shëndoshë.

“Pa paraqitur asnjë provë dhe madje pa ofruar asnjë përshkrim konkret të asaj çfarë ka ndodhur, Londra e akuzoi Rusinë për helmimin e shtetasve të vetë Rusisë, hodhi një emërtim të papërdorur kurrë në Rusi të një substance kimike, si edhe nisi një fushatë të gjerë politike dhe mediatike kundër Rusisë. U iniciua dëbimi i pabazë i diplomatëve rusë nga një sërë vendesh dhe përfaqësish pranë organizatave ndërkombëtare dhe u paraqit një paketë sanksionesh të tjera. Ndërkohë, kërkesat tona legjitime që të na jepen mostrat e substancës së përdorur u injoruan“- thotë deklarata,

Më 16 mars 2018, Komiteti Hetimor i Rusisë nisi procedimet penale në lidhje me tentativën e vrasjes me paramendim të shtetases ruse Julia Skripal dhe i dërgoi palës britanike një kërkesë përkatëse.

Më tej deklarata vijon:

“Ne po presim nga Londra një bashkëpunim konkret në kuadër të hetimit, i cili po kryhet nga organet tona ligjzbatuese. Sjellja e autoriteteve britanike ngre shumë pikëpyetje. Qytetarët e vetë Britanisë së Madhe mbahen të painformuar për sa u përket elementeve kyçe të këtij incidenti. As numri i përgjithshëm i të lënduarve ende nuk dihet. Gjithashtu, kalohet në heshtje informacioni për aktivitetin e laboratorit sekret në Porton Down në afërsi të Salisbury ku, siç dihet nga të gjithë, është punuar për prodhimin e armëve kimike. Po mbahen të fshehura edhe të dhënat e stërvitjeve të përvitshme ushtarake Toxic Dagger që janë zhvilluar nga kjo qendër bashkë me ushtrinë britanike pak kohë para helmimit të Skripalëve, dhe gjatë të cilave janë praktikuar metodat e përballimit të ndotjes kimike dhe biologjike.

Ndërkohë, Londra ka iniciuar një fushatë mbarëbotërore për të krijuar një prezumim absolut të fajësisë së Rusisë. Ne shohim një përshkallëzim të qëllimshëm dhe të paramenduar të konfrontimit, si edhe një demonstrim të forcës ushtarake në afërsi të kufijve rusë. Është një përpjekje e qartë për të minuar një bashkëpunim politik dhe diplomatik që mund të çonte në një investigim objektiv dhe gjithëpërfshirës të incidentit në Salisbury”.

Në fund, Rusia fajëson drejtpërdrejt shërbimet e fshehta britanike për ngjarjen dhe aludon për një provokim:

“Analiza e të gjitha këtyre rrethanave tregon se autoritetet britanike nuk janë të interesuara për të zbardhur motivet reale dhe autorët e vërtetë të krimit në Salisbury, gjë që na çon në mendimin e implikimit të mundshëm të shërbimeve speciale të Britanisë së Madhe në këtë incident. Në rast se palës ruse nuk do t’i jepen prova bindëse për të kundërtën, ne do ta konsiderojmë këtë incident si një atentat ndaj jetës së qytetarëve tanë, i cili vjen si pasojë e një provokimi madhor politik. Theksojmë se barra e provave në këtë histori i takon pikërisht palës britanike”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne