Rusia do të bëjë përpjekje për zgjidhjen e krizës së Katarit

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka thënë sot se janë gati të bëjnë çdo gjë që munden për zgjidhjen e krizës mes Katarit dhe disa vendeve arabe, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një takimi kokë më kokë me shefin e diplomacisë së Katarit, Abdurrahman Al Sani, Lavrov bashkë me homologun e tij kanë zhvilluar një konferencë për mediat. Lavrov ka thënë se është i shqetësuar nga bllokada e vendosur për Katarin nga disa vende arabe.

Lavrov ka thënë se vendet e rajonit janë vazhdimisht në kontakt në mënyra të ndryshme dhe më pas ka shtuar: “Rusia do të bëjë çdo gjë për zgjidhjen e krizës mes Katarit dhe disa vendeve arabe me miratimin e palëve”.

Duke vënë në dukje se Rusia nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të një vendi tjetër, Lavrov në vijim të fjalës së tij shtoi: “Përkeqësimi i marrëdhënieve të partnerëve tanë nuk na gëzon. Rusia kërkon që çdo pakënaqësi të zgjidhet në tryezën e diskutimeve mes palëve. Palët mund të kërkojnë drejtpërdrejt zgjidhjen e problemeve përmes rrugës së dialogut”.

Ndërsa duke thënë se terrori është një nga kërcënimet kryesore të vendeve të këtij rajoni, Lavrov tha: “Mendojmë që ka nevojë për unitet dhe bashëkpunim të Lidhjes Arabe, Këshillit të Bashkëpunimit të Vendeve të Gjirit dhe të gjitha vendeve të tjera kundër terrorizmit”.

Katari bën thirrje për dialog

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Al Sani në fjalën e tij ka bërë thirrje për dialog mes vendeve për zgjidhjen e krizës. Ndërsa ka theksuar se platforma e Këshillit të Bashkëpunimit të Vendeve të Gjirit është e përshtatshme për këtë.

Al Sani tha se arsyeja e vizitës së tij në Moskë është të shpjegojë hapat e gabuara të hedhura kundër vendit të tij. Të tregojë që parimi i vendit të tij është zgjidhja e të gjitha problemeve përmes rrugës së dialogut./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne