Rusia thotë se po rritet prezenca e IS-it në Afganistan

Kreu i Shërbimit të Sigurisë Federale të Rusisë (FSB) tha se militantët e grupit ekstremist Shteti Islamik (IS) kanë rritur prezencën në veri të Afganistanit. Ky rajon bën pjesë në kufirin me ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore.

Shefi i FSB-së, Aleksander Bortnikov, i bëri këto komente gjatë një vizite në Taxhikistan, vend ky që ndan një pjesë të madhe të brezit kufitar me Afganistanin.

Moska disa herë ka shprehur shqetësim për rritjen e prezencës së IS-it në Azinë Qendrore.

Ekspertët e sigurisë kanë thënë se Rusia po e ekzagjeron numrin e militantëve që janë prezent në rajon në mënyrë që të u sugjerojnë qeverive të vendeve të Azisë Qendrore, se u nevojitet ndihma ruse për çështje të mbrojtjes.

Ushtria amerikane vlerëson se janë rreth 2.000 luftëtarë të IS-it në Afganistan.

Në anën tjetër, zyrtari i lartë i sigurisë ruse, Bortnikov bëri thirrje për një kontroll më të ashpër kufitar në mënyrë që të ndalet rritja e prezencës së militantëve të IS-it.

Në vitet e fundit Rusia është paraqitur si një fuqi ndërmjetësuese Afganistan.

Në nëntor të vitit të kaluar, Rusia organizoi bisedimet e paqes mes talibanëve dhe zyrtarëve afganë.

Përfaqësuesi amerikan për paqen në Afganistan, Zalmay Khalilzad, mirëpriti bisedimet, edhe pse disa zyrtarë amerikanë thanë se Moska po e promovon vetën si fuqi ndërmjetësuese, për të sfiduar një proces paqeje të mbështetur nga amerikanët që po zhvillohet në Katar.

Shteti Islamik ka qenë aktiv në Afganistan që nga viti 2015 duke luftuar kundër talibanëve, forcave afgane dhe atyre amerikane./insajderi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne