Rusia: Turqia ka të drejtë të mbrohet nga terrorizmi

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Turqia ka të drejtë legjitime të mbrojë territoret e saj nga terrorizmi.

Duke folur para gazetarëve në Moskë për situatën në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë dhe operacionit të mundshëm ushtarak turk në rajon, Peskov tha se Rusia po monitoron nga afër situatën.

“Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë shumë herë se Turqia ka të drejtë legjitime të mbrojë territoret e saj nga elementet terroriste”, theksoi Peskov.

Ndërkaq, ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, duke folur në një ngjarje në qytetin rus Soçi, tha se SHBA po përdor kurdët në lindje të Eufratit në Siri për të krijuar një “gjysmë-shtet”.

“SHBA po përpiqet t’i zhvendosë kurdët në zonat që i përkasin arabëve, në mënyrë që të forcojë pozicionin e tyre në rajon”, tha Lavrov.

Kryediplomati rus e quajti këtë “një lojë shumë të rrezikshme” me potencialin për të destabilizuar më tej rajonin.

Lavrov theksoi se SHBA nuk e respekton integritetin territorial të Sirisë dhe se as që nuk i merr parasysh shqetësimet legjitime të Turqisë për sigurinë e kufijve.

Turqia gjatë kohë është ankuar për kërcënimin e terroristëve që vijnë nga lindja e Eufratit, duke u zotuar se do të ndërmarrë veprime ushtarake për të parandaluar formimin e një “korridori terrorist” atje./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne