Rusia: Vendimi i SHBA-së për të armatosur Ukrainën inkurajon me tej gjakderdhjen

Diplomatët dhe ligjvënësit rusë paralajmëruan SHBA-në të shtunën se vendimi i saj për ti siguruar Ukrainës armë të rrezikshme do të ushqejë më tepër armiqësitë dhe do të rrisë viktimat në konfliktin në lindje të vendit.

Reagimi i ashpër nga Moska vjen një ditë pasi administrata e Presidentit Donald Trump miratoi një plan për të furnizuar Ukrainën me armë, duke përfshirë raketat anti-tank Javelin. Ukraina e ka mirëpritur lëvizjen e SHBA-së pasi ka kohë që ka kërkuar armë për luftën e saj kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore, ku deri tani janë vrarë më shumë se 10,000 persona që nga prilli 2014.

Zëvendës / Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se administrata e SHBA-së me këtë lëvizje e ka kaluar kufirin. “Uashingtoni ka kërkuar që të vihet në rolin e ndërmjetësit, tha ai në një deklaratë. “Ai nuk është ndërmjetës, është një bashkëpunëtor në nxitjen e luftës”.

Ambasadori i Ukrainës në SHBA, Valeriy Chaly e përshëndeti vendimin e SHBA-së si një masë që do të ndihmonte në sjelljen e paqes.

“Dobësia e dekurajon agresorin,” tha ai në Facebook. “Forca e frenon dhe e shtyn atë drejt paqes”.

Pa përmendur vendimin e SHBA, Franca dhe Gjermania të shtunën u kërkuan palëve që të zbatojnë plotësisht një marrëveshje të shkelur të armëpushimit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron nxorën një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje palëve që ti kthehen marrëveshjes së paqes të vitit 2015 të ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania. Dispozitat përfshijnë tërheqjen e armëve të rënda si tanket dhe raketa hedhëset dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Të dy krerët gjithashtu kërkuan kthimin e oficerëve ushtarakë rusë në qendrën e përbashkët të koordinimit që luan rol në monitorimin e armëpushimit.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj thonë se Rusia ka dërguar trupa dhe armë për të ndihmuar rebelët në Ukrainën lindore. Moska i ka mohuar akuzat, por ka pranuar se shtetasit rusë janë bashkuar me forcat separatiste si vullnetarë.

Zëvendësministri i Jashtëm Ryabkov paralajmëroi se lëvizja e SHBA-së mund të justifikonte përgjigjen ruse. “Armët amerikane mund të çojnë në më shumë viktima në vendin fqinj, dhe ne nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj kësaj,” tha ai.

Valentina Matviyenko, drejtuesja e dhomës së sipërme të parlamentit rus, tha në vërejtjet për Tass se lëvizja e SHBA-së ishte një “gabim i madh” që do t’i “tërhiqte ata në konfliktin e brendshëm të Ukrainës”.

“Me furnizimet e armëve vdekjeprurëse, SHBA i jep një sinjal të qartë Kievit se mbështet opsionin ushtarak,” tha në Twitter Alexei Pushkov, kreu i komitetit të informimit të dhomës së lartë ruse.

Tensionet në Lindje janë rritur shumë në javët e fundit. Vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë kanë shprehur shqetësimin për luftimet e fundit.

Më herët këtë javë, Rusia tërhoqi vëzhguesit e saj ushtarakë nga grupi i përbashkët që monitoronte armëpushimin, duke cituar “kufizime dhe provokime” nga autoritetet ukrainase të cilat e bënë të vështirë detyrën për oficerët rusë.

Ukraina dhe rebelët deklaruan të mërkurën se do të shpejtonin përpjekjet për të shkëmbyer të burgosurit. Ata gjithashtu ranë dakord të mbajnë një armëpushim për sezonin e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri duke filluar nga e shtuna, por menjëherë fajësuan njëri-tjetrin për shkeljen e marrëveshjes./dailysabah/ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne