Shqiperia

Saimir Tahiri do të dalë sot në 11:00 para Krimeve të Rënda për masën e sigurisë

Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të dalë sot në 11:00 para Gjykatës së Krimeve të Rënda për verifikimin e masës së sigurisë dhe do të merret në pyetje. Këtë herë ish-Ministrit do ti duhet të shoqërohet me policë nga banesa e tij tek “Kodra e Diellit” për në sallën e gjyqit.

Gjyqtare e seancës do të jetë Liliana Baku. Tahiri akuzohet për trafik të narkotikëve në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror në kuadër të hetimeve për dosjen “Habilaj”.

Prokuroria është shprehur se ka prova të reja për ish-Ministrin nga letërporositë e Greqisë dhe Italisë dhe dëshmitë e marra brenda dhe jashtë vendit. Gjykata e Krimeve të Rënda dha të shtunën e 12 majit vendimin për masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Prokurët e çështjes Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kërkuan masën “arrest me burg” por gjykata mori parasysh rrezikshmërinë e ulët shoqërore. Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, por dhe prokurorët kanë paralajmëruar se do të apelojnë vendimin./ lapsi