Sajmirët dhe Sokratët

/Klodi Leka/

“E vërteta”, ” drejtësia” dhe “prokuroria” janë kryefjalët e ligjërimit politik të ditëve të sotme. Që prej ish-ministrit të Brendshëm të kontaminuar në pazare droge te kryeministri dhe më tej pozita, opozita dhe depozita e qelbit sulfurik që bëhet puçër e dhimbshme dhe e pashtrydhur në trupin e shoqërisë.

Së pari, “e vërteta”. Ish ministri i Brendshëm, që nuk do të bëhet kokë e rreme turku në tepsinë e negociatave me BE, shantazhon publikisht me “të vërtetën e tij”. Aq sa për një çast ngatërrojmë Sajmirin me Sokratin dhe Sokratin me Sajmirin. E vërteta e Sajmirit nuk është publike si e Sokratit, por, siç e thekson në daljet televizive, është e vërteta e tij personale. Në dallim prej të vërtetës publike të Sokratit, e vërteta personale e Sajmirit është një sekret publik. Ajo është një e vërtetë sokratiane. Klasa sunduese është zhytur në krim. Gjyqe politike. Sigurisht, për Sokratët e jo për Sajmirët. Sokrati sot është emri i një qytetari të paidentifikuar kuksian për të cilin polisi i policisë dhe pëpëpëve është armik.

Se dyti, “drejtësia”. Ç’është drejtësia? – pyeste Sokrati gjatë kuvendimeve në agorën e qytetit. “E drejta e më të fortit ja ç’është!” – iu përgjigj Thrasimahu, dhe sot më të fortët kërkojnë drejtësi. Sepse e drejta, d.m.th. ligjet dhe ligjzbatuesit, janë të Sajmirit dhe të sunduesve. Sokratit do t’i priten letrat në prokurori për protestë të paligjshme. Sokratin do ta vrasë e vërteta e Sajmirëve, siç do të vrase Sajmirët drejtësia e Sokratëve. Është thjesht çështje kohe.

Së treti, “prokuroria”. Prokuroria është leva arkimediane që ua ndërron emrat, por jo thelbin, të vërtetave dhe proceseve. Prokuroria e bën Sajmirin Sokrat dhe Sokratin Sajmir. Sajmiri si një idhull i vojtur që admirohet, Sokrati si një malok që s’duhet të tolerohet. Historia e kryqit përsëritet. Sajmiri lirohet, ndërsa Sokrati çohet në gjyq e pastaj në kryq. Sepse Sajmirin ka të vërteta pa drejtësi, ndërsa Sokrati ka drejtësinë për të vërtetë.

Gjyqi politik ndaj njëmbëdhjetë qytetarëve kuksianë është një turp, turp publik, pa të vërteta dhe pa drejtësi. Por kjo nuk ka pikë rëndësie, ngaqë sot sundon e vërteta private dhe e drejta e më të fortit, më fort se kurrë. Ky është mësimi kryesor i kësaj historie. Pra, ke të drejtë aq sa ke fuqi. Pa fuqi, e drejta dhe e vërteta s’bëjnë një dyshkë. Prandaj duhet ta bëjmë të drejtën dhe të vërtetën të fuqishme dhe kolektive. Në të kundërt, urdhri nga lart për të prerë damarët do të trokasë një ditë në derën e të gjithëve./ teza11

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne