Salianji lë selinë e PD, mesazhi i fundit para se t’i drejtohej Drejtorisë së Policisë

Ervin Salianji, deputeti i PD-së, ka lënë selinë e kësaj partie politike, për të vijuar rrugën drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, atje ka zgjedhur të vetëdorëzohet, pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Në një komunikim të shkurtër për mediat, Salianji tha se do të vijojë betejën edhe nga burgu, ndërsa u shpreh se ka zgjedhur të përballet me atë që e konsideroi si pengmarrje banditeske, dënimin e tij me 1 vit burgim.

“Çdo përpjekje që kam bërë është për të mirën dhe interesin publik. Do të forcojmë një demokraci ku të sundojë shteti i të drejtës dhe shteti ligjor.

Grupi i PD ka vendosur të ngujohej me idenë e një përplasje se ky është një vendim politik dhe nuk e njohim, por jam i vendosur të përballem me këtë përpjekje banditeske për të më ndërprerë lirinë për 1 vit dhe mandatin e dhënë nga qytetarët. Ne do të bëjmë betejë. Ne jemi më të mirë se Edi Rama. Ne vendosim sakrificën dhe sakrificojmë për lirinë.

Nuk kam njoftuar protestë para drejtorisë së policisë ku po shkoj të dorëzohem, miqtë janë të mirëpritur. Por protestat do të jenë të mëdha. Qytetarët kanë reaguar. Falenderoj mediat për pasqyrimin korrekt të ngjarjes dhe demaskimin e këtij procesi. Do të shihemi shumë shpejt”, tha deputeti. Ndërkohë simpatizantë të PD ndodhen para drejtorisë së Policisë së Tiranës, në shenjë solidariteti me deputetin Salianji dhe duke shprehur një lloj proteste ndaj vendimit të Apelit./bw

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne