Shqiperia

“Salillari”, fituesi i madh i tenderave të “Unazës së Madhe”

Kompania Salillari është fituesja më e madhe e tenderave për ndërtimin e Unazës së Madhe, me rreth 50 milionë euro tendera të fituara deri më sot.

Bashkimi i kompanive Salillari dhe Bajrami N u shpallën sot fituesit e tenderit, “Lotin 1” të Unazës së Madhe për 14,5 milionë euro. Në dhjetor 2018, Salillari gjithashtu fitoi edhe “Lotin 2” të projektit të “Unazës së Madhe”, e cila do të kushtojë 12,6 milionë euro.

Për Salillarin ky është tenderi i tretë që fiton për ndërtimin e Unazës së Madhe. Më parë ajo ka ndërtuar segmentin 2,1 kilometra nga Komuna e Parisit te mbikalimi përballë Shkollës Teknologjike. Për këtë pjesë ish-Drejtori i ARRSH Afrim Qendro tha se u paguan rreth 29 milionë euro.

Tenderi i lotit të parë të Unazës së Madhe

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) kualifikoi bashkimin e kompanive Salillari dhe Bajram N, pas ankesës së tyre në korrik 2019, për fitimin e këtij tenderi nga kompania “Vëllezërit Hysa”.

Vendimi i Komisionit u zbardh sot në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Salillari dhe Bajrami N do ta ndërtojnë “Lotin 1” të Unazës së Re për 14,5 milionë euro.

Tenderi për “Lotin 1” u hap më 14 qershor dhe u mbyll më 22 korrik. Fillimisht Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) i skualifikoi dy kompanitë Salillari dhe Bajrami N për “mos-plotësim kriteresh”. ARRSH skualifikoi edhe Alb-Building, që kishte ofruar më pak, 14 milionë euro, me arsyetimin se “një nga kompanitë e konsorciumit nuk kishte përfunduar punimet në vlerë 70 për qind të kontratave me ARRSH”. Për shkak të skualifikimeve të këtyre kompanive, fituese e “Lotit 1” qe shpallur kompania Vëllezërit Hysa me ofertë 14,6 milionë euro.

Më 23 gusht kompanitë Salillari-Bajrami N dhe Alb Building ankimuan vendimin e ARRSH dhe KPP vendosi përfundimisht t’i japë të drejtë bashkimit të kompanive të Salillarit.

Projekti i Sheshit Shqiponja u ndryshua dhe tenderua disa herë, për shkak se herën e parë u fitua me falsifikim dokumentash nga bashkimi i kompanive Dh-Albania dhe Biba X.

Në tenderin e dytë nuk u plotësuan kriteret ndërsa në të tretin u vendos që projekti të ndryshohej nga rrethrrotullim me nënkalime dhe mbikalime, në kryqëzim me nënkalime.

Salillari fitoi nga Bashkia Tiranë koncesionin me afat 33-vjeçar për terminalin e transportit publik. Ky stacion do të ndërtohet rreth 1,5 kilometra larg Sheshit Shqiponja, në rrugën Kastriotët në anë të kthesës së Kamzës./Exit.al/

OPINIONE