“Sauditët i dërgojnë personat me COVID-19 në Jemen”

Rebelët Houthi të Jemenit pretenduan se Arabia Saudite i kthen jemenasit të cilët ishin infektuar në Arabinë Saudite me koronavirusin e ri (COVID-19) përsëri në Jemen.

Sipas televizionit pro-Houthi Al-Masirah, rebelët Houthi kanë identifikuar ata që ishin infektuar dhe po bëjnë përpjekje për të kontrolluar dhe rregulluar mbërritjen e tyre.

Arabia Saudite nuk është prononcuar lidhur me këtë çështje.

Akuzat erdhën pasi Jemeni vendosi të mbyllë vendkalimin e vetëm kufitar të mbetur me Arabinë Saudite për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vendin e shkatërruar nga lufta.

Autoritetet jemenase vendosën të mbyllnin vendkalimin kufitar al-Wadia me Arabinë Saudite nga e mërkura deri në njoftimin e mëtejshëm, thanë burime për AA në kushte anonimiteti.

Al-Wadia mbetet e vetmja pikë tranziti midis dy vendeve pasi vendkalimet e tjera kufitare u mbyllën për shkak të konfliktit në vazhdim në Jemen që nga shtatori 2014.

Ndërkohë, Qeveria e Jemenit ka njoftuar rastin e parë të konfirmuar me koronavirusin e ri (COVID-19).

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin, Sana.

Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga sauditët filloi një fushatë shkatërruese ajrore që synon të kthejë territoret e pushtuara nga rebelët.

Dhjetëra mijëra shtetas të Jemenit, duke përfshirë civilë, besohet të jenë vrarë gjatë konfliktit i cili ka shkaktuar krizën më të keqe humanitare në botë, pasi miliona persona mbeten në rrezik të urisë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne