SEANCA E GJASHTË DHE E FUNDIT E DËGJIMIT TË HIFZIT TË NXËNËSIT SALI EBIPI

Sot, në ambientet e SHAM „Medreseja Isa Beu“, u realizua seanca e gjashtë dhe e fundit e dëgjimit të Hifzit të nxënësit të vitit të IV-të, Hfz. Sali Ebipi, duke përmbyllur kështu me sukses ciklin e dëgjimeve të Hifzit të Kur’anit Famëlartë.

Seanca u zhvillua para Komisionit të përbërë nga Xhemail Nuhiju – kryetar, dhe Hfz. Abdulkerim Ebibi e Hfz. Xhelil Shabani – anëtarë, të cilët me përkushtim dhe përgjegjësi profesionale ndoqën të gjithë rrugëtimin e Hfz. Sali Ebipit drejt përmbylljes së këtij misioni të bekuar.

Në këtë seancë ishin të pranishëm drejtues të Medresesë, në krye me drejtorin dr. Islam Islami, referenti i Myftinisë së Shkupit hfz. Irfan Sulejmani, profesorë, familjarë të Hfz. Saliut, si dhe nxënës të Medresesë. Prania dhe mbështetja e tyre i dhanë kësaj ngjarjeje një atmosferë të veçantë, duke dëshmuar për përkushtimin e përbashkët ndaj nxënësve, edukimit fetar dhe ruajtjes së traditës së Hifzit në Medresenë „Isa Beu“.

Me përfundimin e kësaj seance, u përmbyllën gjashtë seancat e dëgjimit të Hifzit të Hfz. Sali Ebipit, i cili gjatë këtij procesi dëshmoi përkushtim, qëndrueshmëri dhe përgatitje të lartë në memorizimin dhe ruajtjen e Fjalës së Allahut.

Me këtë rast, fjalë rasti mbajti drejtori i Medresesë, dr. Islam Islami, i cili shprehu kënaqësinë për përfundimin me sukses të lartë të procesit të dëgjimit të Hifzit. Ai e përgëzoi Hfz. Sali Ebipin për punën dhe përkushtimin e treguar, duke vlerësuar edhe kontributin e muhafizit të tij, prof. Ferat Plakaj, familjes dhe Komisionit që e ndoqi këtë proces.

Drejtori theksoi se përfundimi i Hifzit është një arritje e madhe për vetë nxënësin, familjen e tij dhe për Medresenë „Isa Beu“, duke nënvizuar se ruajtja e Kur’anit Famëlartë nuk përfundon me memorizimin e tij, por vazhdon gjatë gjithë jetës përmes përsëritjes, praktikimit dhe jetësimit të mësimeve të tij.

Nesër, më 09.10.2026, ditën e Xhuma, para namazit të Xhumasë, në mesxhidin e Medresesë „Isa Beu“, do të mbahet ceremonia e duasë së Hifzit të Hfz. Sali Ebipit, me ç’rast do të shënohet përmbyllja solemne e këtij rrugëtimi të bekuar.

Lusim Allahun e Madhëruar që t’ia pranojë Hfz. Sali Ebipit këtë vepër të madhe, t’ia lehtësojë ruajtjen e Kur’anit Famëlartë, ta bëjë të qëndrueshëm në rrugën e dijes dhe të na bëjë të gjithëve prej atyre që e lexojnë, e mësojnë dhe e jetojnë Fjalën e Tij.

Medreseja „Isa Beu“ – Shkup
Në shërbim të dijes, edukimit dhe Kur’anit Famëlartë.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne