Mbledhja e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi është mbyllur rreth orës 2 të mëngjesit, pas orësh të tëra debate, por pa dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Mbledhja është mbyllur me një episod që sipas deputetëve të opozitës përbën skandal. Ndërkohë që diskutohej kthimi i Beqajt sërish në burg pasi kishte kaluar mesnata dhe leja e marrë, ai ka hyrë në komision dhe iu është hakërryer deputetëve të PD. Pas kësaj deputetët kanë reaguar të indinjuar dhe i kanë kërkuar policisë të reagojë dhe ta kthejë në burg.
Ina Zhupa: Ilir Beqja tani duhet të shkojë atje ku ka vendin, ne të vazhdojmë diskutimet këtu. Ky komision nuk mund të bjerë peng i telefonatave të Ndrecës, që kam folur unë dhe kam marrë leje. Ju zonja kryetare mbani përgjegjësi sepse ju çoni shkresat. Nëse këta duan të bëjnë show dhe t’i japin një natë liri Beqjes, më vjen shumë keq. Sot është data 14 nëntor, leja që keni marrë për Beqjen është për 13 nëntorin.
(Beqja hyn në Komision dhe i drejtohet Zhupës me fjalë e gjeste, por nuk dëgjohet)
Vokshi: Kush je ti more, kush je ti që hyn ashtu. Urgjent policia ta kthejë në burg Ilir Beqajn. Guxon të hyjë në atë mënyrë në sallën e mbledhjeve të Komisionit. Sekretaria njoftoni policinë. Çojeni tani. Urgjent të vijë policia.
Zhupa: Nuk mund të hyjë ai dhe të na kërcënojë ne. I keni dhënë liri të livadhisë në Kryesinë e Kuvendit.
Spaho: Ndërprisni mbledhjen, i thoni policisë ta marrë.
Vokshi: Vjen ai dhe kërcënon, ju si nuk flisni?! Si mundet të hyjë ai ashtu. I japin garanci këta.
Spaho: Të merret masë ndaj avokatit, punonjësve të Gardës që e lejuan.
Vokshi: Ju lutem shumë, që ta kuptojë publiku. Ai person që erdhi i shoqëruar nga policia e Burgjeve bredh i lirë në të gjitha ambientet, ka futur hunj, drunj mjete të forta dhe është lejuar, i lirshëm që të shkojë ku të dojë. Futet në këtë mbledhje bashkë me avokatin dhe u lejua dhe nga policia dhe nga Garda. Ky është një skandal. Garda duhet të marrë masa për atë djali nqë e la të hynte.
Spaho: Pamjet e kamerës duhen administruar dhe duhet të informohet opinioni publik.
Vokshi: Si s’të vjen turp ty dhe gjithë të tjerëve. Ti mos guxo të ma bësh mua ashtu, të të vijë turp ty dhe të gjithë ju që nuk reagoni. Turp t’ju vijë. Futet ai me pranga dhe na kërcënon. Nuk është i lirë ai të bëjë çfarë të dojë. Ai duhet të ishte i mbyllur në një sallë. Të guxojë Ilir Beqaj dhe të futet e të kërcënojë deputetët e opozitës është skandal, askush nga ju nuk guxon të flasë. Çfarë do bësh?/BW