Sekretari i tregtisë amerikane: Sulmi me raketat Tomahawk në Siri ishte “argëtimi pas darkës” i Trampit

59 raketat Tomahawk, të lëshuara nga SHBA-ja kundër Sirisë muajin e kaluar, ishin vetëm “argëtim pas darkës”, që “nuk i kushtoi presidentit asgjë”, tha sekretari amerikan i tregtisë, ndërsa Presidenti Tramp e quajti sulmin një “vendim të ashpër”.

Sekretari Amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross i bëri komentet e diskutueshme ndërsa fliste në Konferencën Globale të Institutit Milken të hënën, sipas Variety.

Urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan Donald Tramp për të nisur një sulm në një aeroport ushtarak sirian më 7 prill në përgjigje të një sulmi të dyshuar kimik në qytetin e Khan Shaykhunit, i cili vrau rreth 80 vetë më 4 prill, ishte me sa duket vetëm “argëtim pas darkës” sipas Ross. Breshëria raketore vrau të paktën 14 vetë, duke përfshirë nëntë civilë.

“Ndërsa ëmbëlsira ishte duke u shërbyer, presidenti i shpjegonte [presidentit të Kinës Xi Jinping] se kishte diçka për të cilën donte t’i tregonte, që ishte nisja e 59 raketave në Siri”, tha Ross. “Ishte në vend të argëtimit pas darkës.”

Ndërkohë që kostoja e parashikuar e sulmit shkonte nga rreth 60 milionë deri në 100 milionë dollarë, varësisht nga përdorimi i modifikimit të raketave të Tomahawk, Ross deklaroi se “presidentit nuk i kushtoi asgjë për ta pasur atë argëtim”.

Komentet erdhën pasi Presidenti Tramp e përshkroi vendimin e tij për të sulmuar Sirinë si një zgjedhje “të ashpër”, pasi mund të vriteshin “njerëzit e gabuar”. Trampi i bëri këto komente gjatë një interviste me John Dickerson të Face the NationCBS. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne