Sekserë, apartamente e makina me çmim të lirë, ja çfarë u diskutua në “Vettingun” e Sandër Simonit

Nga Edmond Hoxhaj | BIRN | Tiranë

Kryetari i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Sandër Simoni kundërshtoi gjatë seancës dëgjimore dyshimet se kishte lidhje me sekserë dhe kontakte të papërshtatshme me kandidatin për kryebashkiak të Shkodrës, Valdrin Pjetri, të cilit ju mohua mandati për shkak të dënimit për drogë në Itali. 

Të martën pasdite gjyqtari Sandër Simoni u përball me gjetjet e Komisionin të Pavarur të Kualifikimit në seancën publike si pjesë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorë.  Kreu i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është rivlerësuar për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Gjatë seancës dëgjimore u relatuan dy raporte të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ku në njërin konstatohej përshtatshmëria e gjyqtarit dhe në tjetrin papërshtatshmëria e Simoni për vazhdimin e detyrës. Simoni e kundërshtoi raportin e dytë të DSIK duke e quajtur të pabazuar në prova e të pavërtetë duke i kërkuar Komisionit që të kryejë verifikimet përkatëse.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Simonin përbëhet nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Olsi Komici relator dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Sandër Simoni ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në dhjetor 2003, Simoni u emërua gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe në vitin 2004 u promovua si kryetar i kësaj gjykate.

Paralelisht me punën si gjyqtar, Simoni është angazhuar në mësimdhënie si në Shkollën e Magjistraturës ashtu edhe në Fakultetin e Drejtësisë. Në fund të vitit 2019, Simoni u caktua përkohësisht kryetar i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar deri në një vendim përfundimtar të institucioneve të vetingut.

Gjatë relatimit të gjetjeve, u identifikuan vetëm disa pasaktësi e mospërputhje në deklarimin e pasurisë që u kundërshtuan nga gjyqtari Simoni. Ai kundërshtoi gjithashtu si të pasaktë e të pabazuar në ligj raportin e dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ku ndryshe nga raporti i parë, konstatonte papërshtatshmërinë e tij.

Raporte kontradiktore

Relatori Olsi Komici pohoi se DSIK kishte dorëzuar fillimisht një raport sipas të cilit konstatohej përshtatshmëria e gjyqtarit Sandër Simoni për të vazhduar detyrën. Ai shtoi se DSIK e kishte rishikuar më pas raportin fillestar duke konstatuar papërshtatshmërinë. Komici nuk u shpreh nëse KPK kishte konkluduar mbi raportin e dytë të DSIK të deklasifikuar pjesërisht, por tha se Simoni ka dhënë shpjegime e prova të cilat do të vlerësohen gjatë vendimmarrjes përfundimtare.

Relatori Komici, duke dhënë shumë pak detaje mbi akuzat që rëndojnë mbi Simonin, shtoi se Komisioni ka hetuar edhe për lidhjen e gjyqtarin me shtetasin V.P., i cili është i afërm i tij.

Gjyqtari Simoni u ndal gjatë në fjalën e tij për raportin e dytë të DSIK të cilin cilësoi të pasaktë, të paplotë e të pavlerë.

“Në raportin e parë nuk rezulton të ketë probleme. Një ditë më pas DSIK ka ndryshuar qëndrim duke ju referuar disa sekserëve që kanë përdorur emrin tim. Ky raport nuk plotëson kushtet dhe nuk përmban asnjë element provues. Nuk është bërë asnjë verifikim për këto informacione prandaj kërkoj që vendimmarrja e Komisionit të bazohet në raportin e parë”, deklaroi gjyqtari Simoni, i cili theksoi se kontrolli duhet të kryhet mbi prova të sakta dhe vendime gjyqësore.

“Duket qartë se raporti i dytë s’ka asnjë provë, por vetëm me mundet…; dyshohet…; dhe përmendet një sekser. Por nuk sqarohet ç’kam bërë unë, nëse jam takuar me dikë, apo me kë… . Gjithçka është hamendësim”, pohoi më tej Simoni.

Ai shtoi se do të kishte qenë e lehtë të verifikohej nëse kishte qenë gjyqtar në procese që kishin lidhje me këta persona ose për çështje që ishin shqyrtuar nga gjykata gjatë periudhës që ai kishte qenë kryetar.

“Duhej të ishte verifikuar mos ishte një rast mashtrimi, por grupi i punës nuk ka kryer verifikim. I takon Komisionit tani ta kryejë. Në gjykimin im, Komisioni nuk duhet të marri parasysh informacione të pabazuara në prova. Duket qartë se kemi të bëjmë me një mashtrim dhe raporti rezulton se nuk është hartuar sipas ligjit. …Në vitin 2007 kur kam konstatuar se kishte persona që abuzonin me emrin tonë i kam denoncuar dhe ata janë shpallur fajtorë”, tha Simonim duke shtuar se figura dhe ndershmëria kishin qenë arma e tij më e fortë gjatë ushtrimit të detyrës së gjyqtarit.

Më pas, ai u ndal edhe tek konstatimi i Komisionit lidhur me mosdeklarimin e dënimit të të afërmit të tij, shtetasit V.P, ku nga sa dukej bëhej fjalë për ish-kryetarin e zgjedhur të bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri. Pjetri u zgjodh në votimet e 30 qershorit 2019, si kandidat i Partisë Socialiste, por nuk e ushtroi dot atë funksion pas denoncimit të Partisë Demokratike për dënimin e tij në Itali për posedim droge.

Simoni tha se nuk kishte lidhje të afërt me Pjetrin, por vetëm marrëdhënie farefisnore të shkallës së katërt. “Me këtë person nuk kam udhëtuar. Nuk e dija që ai kishte pasur probleme me ligjin kur kam plotësuar deklaratën për pastërtinë e figurës. Me sa më kanë thënë, as prindërit e tij nuk e dinin se ai kishte pasur probleme me drejtësinë italiane. Ai ka qenë më studime atje. Ndërkohë, ai ka mbajtur disa poste publike dhe kaloi edhe filtrin zgjedhor”, sqaroi gjyqtari Simoni para Komisionit. Ai shtoi se sapo e kishte mësuar këtë gjë nga mediet nuk kishte pasur asnjë kontakt me të. “Konsideroj se deklarimi im për pastërtinë e figurës është i saktë”, pohoi Simoni.

“Kërkoj nga Komisioni të marrë parasysh raportin e parë dhe konsideroj se jam i përshtatshëm për të vazhduar detyrën lidhur me kriterin e pastërtinë e figurës”, pohoi ai.

Pasuria e kryegjyqtarit

Relatori Komici tha se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, nuk kishte konstatuar problematika në deklarimin e pasurisë. Ai shtoi se KPK kishte kryer hetim të pavarur për pasuritë e paluajtshme e likuiditet e zotëruara nga gjyqtari Simoni dhe bashkëshortja e tij.

Për një apartament me sipërfaqe 116.2 metra katrorë në Tiranë të porositur në vitin 2005 dhe të blerë në vitin 2011 në vlerën 6.5 milionë lekë, Komisioni ngriti dyshime se gjyqtari Simoni e kishte përfituar me çmim më të lirë nga ai i tregut. Sipas Komicit, nga shoqëria ndërtuese ishin marrë pesë kontrata të tjera shitjeje nga ku ishte konstatuar se ato kishin çmim më të lartë. Por, nga hetimi administrativ nuk është konstatuar konflikt interesi me administratorët e shoqërisë ndërtuese. Gjithashtu, nga verifikimi i burimeve financiare të deklaruara, është konkluduar se kredia lehtësuese në vlerën 5 milionë lekë ishte përfituar në mënyrë të ligjshme dhe se Simoni kishte pasur mundësi për pagesën e kësteve të këtij apartamenti.

Në fjalën e tij Simoni shpjegoi se, lidhur me çmimin ishte dakordësuar  verbalisht me ndërtuesin që në vitin 2004 se do të paguante njëherazi rreth 90% të vlerës. “Kam sjellë deklaratë të administratorit të atëhershëm që konfirmon një gjë të tillë”, tha Simoni. Ai shtoi se ishte edhe një tjetër rast i ngjashëm me të, kur blerësi kishte paguar thuajse gjithë shumën dhe kishte përfituar çmim të njëjtë, më të uylët se të tjerët. Simoni pohoi se apartamenti kishte sipërfaqe të shfrytëzueshme 90 m2, pasi pjesa tjetër ishte e hapësirë e përbashkët. “Apartamenti im është nga ana e rrugës që ka më shumë zhurmë, ndërsa ato të verifikuara në kontrata janë nga ana tjetër e ndërtesës që është më e qetë”, shtoi ai.

Komisioni identifikon edhe një rast të blerjes së një autoveture me një çmim më të lirë nga sa kishte shpenzuar shitësi. Sipas Komicit, bashkëshortja e Simonit ka blerë një autoveturë tip Benz në vitin 2009 në vlerën 840 mijë lekë, për të cilin ka deklaruar se e ka shitur 500 mijë lekë në vitin 2014. Komici pohoi se shitësi e kishte blerë këtë mjet në Gjermani në vlerën 6000 euro dhe se kishte paguar edhe doganën, ndërsa e kishte shitur pak ditë më vonë rreth 340 mijë lekë më lirë. Komisioni konkludon se gjyqtari Simoni dhe bashkëshortja e tij kanë pasur burime të ligjshme për blerjen e këtij mjeti. Gjithashtu nuk u identifikua konflikt interesi.

Lidhur me çmimin e blerjes së këtij mjeti, Simoni tha se ajo ishte vlera reale bazuar në gjendjen teknike dhe të jashtme të autoveturës. Ai tha se makina kishte pasur probleme në paketën elektronike dhe se kishe sjellë si provë faturat për riparimet që kishte kryer.

Më tej relatori Komici tha se janë konstatuar pasaktësi në deklarimin e çmimit të blerjes së një autoveture tip Ford, për të cilin gjyqtari Simoni ka shpjeguar para Komisioni se e kishte humbur pronësinë që prej vitit 2003 kur ishte larguar nga Shkodra. Sipas Komicit, Simoni një herë ka deklaruar se e ka blerë këtë mjet 150 mijë lekë dhe një herë në vlerën 50 mijë lekë dhe së bashku me doganën e pajisjen me dokumente, në total në vlerën 150 mijë lekë. Nga analiza financiare ka rezultuar se Simoni ka pasur burime të ligjshme për blerjen e kësaj autoveture. Simoni e kundërshtoi këtë konstatim të KPK duke u shprehur se kishte deklaruar gjithmonë të njëjtën vlerë për blerjen e kësaj autoveture, çmimin 150 mijë lekë.

Nga hetimi administrativ, ka rezultuar se bashkëshortët Simoni kanë pasur mundësi financiare për dhënien e disa huave, konkretisht 1.4 milionë lekë dhe 30 mijë euro vëllait të subjektit të rivlerësimit që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe 2500 euro kunatit të tij. Për huatë 30 mijë euro dhe 1.4 milionë lekë dhënë vëllait në SHBA është deklaruar se kanë pasur si qëllim blerjen e një apartamenti në Tiranë. Komisioni ka verifikuar se personat që kanë kryer pagesat e kësteve në favor të shoqërisë ndërtuese ishin disa miq të vëllait të gjyqtarit Simoni. Ndërkohë, nuk është gjetur konflikt interesi me ndërtuesin dhe personat që kanë kryer pagesat për llogari të vëllait të subjektit të rivlerësimit.

Komici tha se Komisioni ka hetuar për këtë apartament dhe për pasurinë e vëllait, ndërsa shtoi se shpjegimet e provat e dhëna nga subjekti do të merren parasysh në marrjen e vendimit.

Simoni kërkoi gjatë fjalës së tij, se duhej të bëhej dallimi kur subjekti ishte në cilësinë e huadhënësit ose të huamarrësit. Sipas tij, duhet të verifikohet mundësia e huadhënies. “Me vëllanë s’kemi marrëdhënie interesi apo biznesi. Kam sjellë dokumente për të ardhurat dhe mundësinë paguese të vëllait. Ndërkohë, për pagesën e kësteve vëllai ka porositur një mikun e tij dhe kjo vërtetohet me pagesat e kryera në bankë”, sqaroi Simoni i cili shtoi se kishte vërtetuar me dokumentacion provues edhe mundësinë e motrës që jeton në Itali për huanë që i kishte dhënë edhe ajo vëllait që jeton në SHBA për blerjen e apartamentit në Tiranë.

Simoni vijoi se, vëllai e kishte blerë në Tiranë apartamentin, pasi atje jetonte në shtëpinë e bashkëshortes së tij që ia kishin dhuruar prindërit e saj. Edhe për këto shpjegime, Simoni tha se kishte depozituar dokumente ligjore për të ardhurat e familjes së vëllait dhe të vjehrrit të tij.

Sipas Komisionit, Simoni nuk ka deklaruar në vitin 2003, hapjen e një llogarie rrjedhëse dyemërore të hapur nga shtetasi A.Rr., kunati i subjektit të rivlerësimit. “Subjekti ka deklaruar se llogaria është hapur me kërkesë të A.Rr për depozitimin e kursimeve të tij të siguruara nga puna në Itali dhe nga shitja e një apartamenti”, pohoi Komici.

Simoni shpjegoi se kishte qenë vetëm si person i autorizuar nga kunati i tij lidhur me këtë llogari dyemërore. “Kishte autorizim me shkrim. Por banka më ka kthyer përgjigje se dokumentet e asaj periudhe janë asgjësuar. Unë isha vetë si person i autorizuar pasi motra dhe kunati jetonin në Itali. Kam shkuar vetë në vitin 2004 në ILDKPKI për të sqaruar këtë situatë, duke u provuar se isha vetëm person i autorizuar dhe se nuk kisha lidhje me shumën e depozituar”, shpjegoi Simoni i cili tha se kunati i kishte kërkuar këtë gjë, nëse do të gjenin mundësinë për blerjen e ndonjë apartamenti të lirë.

Ai shtoi se në vitin 2004 kur ishte transferuar në Tiranë i kishte kërkuar të hiqte emrin e tij nga llogaria dyemërore. “Rezulton se veprimet dhe mbylljen e llogarisë e ka kryer kunati. Ndërkohë, kam sjellë prova se ato para ishin të motrës e të kunatit dhe se unë isha vetëm person i autorizuar”, përfundoi Simoni lidhur me këtë konstatim të KPK.

Për tokën bujqësore e përfituar nga familja bujqësore, Komisioni konstaton se nuk e ka pasqyruar në deklaratën veting. Simoni shpjegoi se ai ishte shkëputur nga trungu familjar që kur ishte tansferuar në Tiranë dhe se nuk kishte ndonjë pretendim për tokën bujqësore apo të kishte kryer ndonjë investim. Ai shpjegoi se një sipërfaqe ullishte nuk ishte pranuar nga babai i tij, pasi ajo i takonte të përfitohej nëpërmjet ligjit për “Kthimin dhe Kompensimin e Pronave” dhe jo nëpërmjet ligjit Për Tokën”. “Për këtë arsye babai im e ka kundërshtuar dhe nuk e ka firmosur AMT-në, por unë e kam pasyruar pasi ajo ekzistonte si dokument”, shpjegoi Simoni.

Komici identifikoi më tej mospagimin e tatimit në burim për përfitimin e 3750 eurove nga angazhimi i bashkëshortes në një institucion fetar.

Komisioni nuk ka gjetur probleme lidhur me një kredi në vlerën 10 mijë euro të marrë nga bashkëshortja dhe për një zyrë të marrë me qira për periudhën 2015-2020.

KPK ka konkluduar se Simoni dhe bashkëshortja e tij kanë pasur burime të mjaftueshme financiare edhe për shpenzimet e kryera për mobilim dhe dasëm në vitin 2007, për blerjen e një automjeti tip Ford në vitin 2010 për vlerën 200 mijë lekë dhe një Benzi në vitin 2015 në shumën 300 mijë lekë.

Për profesionalizmin Simoni u vlerësua pozitivisht. Në fund të seancës dëgjimore ai kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 17 janar, ora 09:30./reporter.al/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne