Selami Xhepa: Kundërshtimet e FMN-së të drejta, politikat fiskale kanë marrë trajta populiste

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, analizoi qëndrimin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që është shprehur kundër nismave të qeverisë për amnisti fiskale dhe heqje taksash për biznesin e vogël.

Në qëndrimin e saj FMN shprehej se amnistia mund të linte vend për t’u shfrytëzuar për pastrim parash, ndërsa heqja e taksave mund të dekurajojë përmirësimin e të dhënave fiskale në vend.

Duke analizuar këtë qëndrim, Xhepa tregoi se “prej vitesh në Shqipëri politikat fiskale kanë marrë trajtën e një natyre politikash populiste”.

“Në vend që të adresohen çështje të konsolidimit fiskal të vendit ne kemi krijuar premisa dhe mundësi në deformim të agjentëve ekonomik, pra në vend që të prioritarizohen reformat e rëndësishme për klimë të shëndetshme biznesi, fokusohen kryesisht te ato që kanë një dukje më të madhe se politikat fiskale,” – tha Xhepa, teksa kujtoi se në disa raporte Shqipëria nuk ka një standard të lartë në luftën kundër pastrimit të parave.

“Shqipëria në raportet e vlerësimit të Moneyval është treguar që nuk respekton standardet e kërkuara për të kontrolluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit dhe duke qenë se Shqipëria është klasifikuar në zonën gri do të thotë se mundësia e përdorimit të amnistive për të legalizuar para që vijnë nga bota e errët janë të mëdha, kjo është arsyeja se përse FMN-ja ka qenë kundër,” – u shpreh eksperti i ekonomisë duke kujtuar se edhe ekspertët vendas me të njëjtat arsye kanë shprehur kritika për një politikë të tillë.

Xhepa tha se çdo prag aplikimesh për taksat i shtyn bizneset që të përqendrohen në kufijtë përjashtimorë prej taksave duke ndjekur strategji të mos-rritjes së tyre, strategji të ndarjes në biznese të tjera, ose dhe të evazionit fiskal. Ndaj sipas tij FMN-ja ka kërkuar transparencë dhe kujdes në këtë pikë për sa i përket kategorizimit me taksa më të ulëta për biznesin e vogël.

Në deklaratën e saj FMN ngre shqetësim edhe për aplikimin e vazhdueshëm të formulës së partneritetit publik-privat për investime madhore publike duke paralajmëruar rreziqe fiskale në rritje.

“Unë shpresoj që kontratat e reja që ka parashikuar qeveria të jenë të natyrës elektorale sepse nëse ato vërtetë do të realizohen në praktikë, implikimet që mund të krijohen për stabilitetin financiar të vendit mund të jenë me pasoja serioze, ndaj dhe FMN-ja dhe ekspertët e tjerë janë të shqetësuar për shëndetin e financave publike, pasi nuk ka rrugë të shkurtra për zhvillimin e vendit,” – u shpreh Xhepa./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne