Opinion Shqiperia

Selia e fortifikuar e muxhahidinëve iranianë në Shqipëri

nga Giovanni Giacalone.

Shkurtin e kaluar “Occhi della Guerra” trajtoi transferimin në Shqipëri të 3500 muxhahidinëve të MEK-ut, stacionuar më parë në një bazë afër Bagdadit. Ndër të tjera, iu referua një selie të vërtetë në ndërtim e sipër në Manëz, pranë Durrësit. Sot ka elementë të mëtejshëm interesantë që duket se e konfirmojnë edhe më qartë projektin gjigand, prandaj le ta shohim më nga afër.

Çfarë është organizata Mek

Organizata Mek lindi në vitin 1963 në Iran me qëllim kundërshtimin e ndikimit perëndimor në vend dhe luftimit të regjimit të Shahut. Në vitin 1979 Mek mori pjesë në revolucionin e udhëhequr nga Khomeini, por ideologjia e organizatës, një përzierje e marksizmit, feminizmit dhe islamizmit, u përplas me atë të Ajatollahëve dhe u ndalua në Iran.

Në vitin 1981, MEK e transferoi selinë bazë në Paris dhe pesë vjet më vonë u transferua e gjithe organizata në kampin Ashraf, në veri të Bagdadit. Ata mbështetën Sadam Huseinin në luftën kundër Iranit dhe gjithashtu edhe në shtypjen kundër kurdëve. Në vitin 2003 Mek u çarmatos nga amerikanët dhe u zhvendos në kampin Liberty. Mek vazhdoi të luante një rol udhëheqës në veprimtarinë politike dhe diplomatike kundër regjimit të Teheranit gjë që vazhdon ta bëjë edhe sot.

Më parë, organizata u rendit në listën e zezë të terrorizmit jo vetëm nga Irani dhe Iraku, por edhe nga Bashkimi Evropian, Britania, SHBA-ja dhe Kanadaja, për t’u hequr me vonë nga lista në mesin e viteve 2008 dhe 2012. Një artikull i New York Times i 21 shtatorit 2012, ilustron se si atëherë Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton kishte vendosur për ta hequr MEK-un nga “lista e zezë”, në mënyrë që organizata të zhvendosej jashtë Irakut në një vend si Shqipëria e sigurt nga arritja e agjentëve të Teheranit. Qëllimi ishte më se i dukshëm: përdorimi i Mek-ut për të mbështetur një ndryshim regjimi në Teheran. Por pse pikerisht u zgjodh Shqipëria? Mbase ishte një “premtim” për hyrjen e vendit në Evropë dhe në NATO?

Sot udhëheqësja e MEK-ut është Maryam Rajavi, pas zhdukjes misterioze të bashkëshortit të saj Masud që përkon me pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003. Disa burime flasin për një vdekje të mundshme, ndërsa të tjera pohojnë se ish-udhëheqësi fshihet për t’i shpëtuar agjentëve e Teheranit.

Mbështetje politike në nivel ndërkombëtar

Mek ka marrë mbështetje nga figura të ndryshme politike ndërkombëtare, përfshirë ish kryetarin e New Yorkut Rudolf Xhuliani, ish ambasadorin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara John Bolton dhe ish nënkryetaren e Senatit Emma Bonino. New York Times ka theksuar se disa anëtarë të Kongresit u bënë mbështetës të bindur të organizatës që nga ndryshimi i saj nga organizatë marksiste-islamiste e cila më vonë ndryshoi mendje duke e transformuar luftën e vet dhe duke u bërë lëvizja kryesore e organizuar kundër teokracisë iraniane.

Sipas gazetës New York Times, midis mbështetësve të Mek-ut do të ishin R. James Woolsey dhe Porter J. Goss, ish-drejtorë të CIA-s; Louis J. Freeh, ish-drejtor i FBI-së; Tom Ridge, ish Sekretar i Sigurisë së Shtetit nën presidentin Xhorxh W. Bush; Prokurori i Përgjithshëm Michael B. Mukasey dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, gjenerali James L. Jones, që vepronte nën administratën e Obamës.

Në vitin e kaluar ka pasur disa pozita në favor të Mek-ut nga anëtarë të skenës politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Në mes të shtatorit një delegacion zyrtar i Partisë Radikale Italiane dhe shoqatës “Nessuno tocchi Caino” vizituan selinë e muxhahidinëve në Shqipëri. Delegacioni përfshinte Elisabetta Zamparuttin, Sergio D’Elian, Rita Bernardinin, Mattia Moron, Maria Antoniettan dhe Luca Coscionin. Burimet shqiptare pohojnë se anëtarët e Mek-ut u dhanë detaje për shkeljet e të drejtave të njeriut të zbatuara nga regjimi i Teheranit.

Në 30 qershor kishte qenë në mesin e tyre ish-ministri i jashtëm i qeverisë Monti, Giulio Terzi. Ai foli në një tubim të MEK-ut para mijëra protestuesve anti-Teheran, ku ai shpalli mbështetjen e tij të pakushtëzuar për MEK-un duke i përcaktuar militantët e tij si “luftëtarët e lirisë” dhe tha se “një pjesë e madhe e shoqërisë italiane është e bindur se të jesh në anën tuaj do të thotë të jesh në anën e drejtë të historisë”. I gjithë fjalimi u publikua në faqen e internetit të Mek-ut.

Ish-kryebashkiaku i New Yorkut Rudolf Xhuliani në vitin 2018 është shprehur në të paktën disa raste me deklarata si: “Populli iranian ka hequr mjaft dhe se ky regjim do të shkatërrohet … Ne nuk kemi asnjë dyshim se koalicioni i Mek-ut mund të përballet me këtë regjim”.

Ai madje ka thënë: “Mullahët duhet të largohen, Ajatollahët duhet të largohen dhe të zëvendësohen nga një qeveri demokratike e drejtuar nga zonja Rajavi”, raporton The Guardian.

Shkurtimisht, një përpjekje tjetër për të përmbysur qeverinë dhe për të eksportuar “demokracinë”, një film që tashmë është parë dhe rishikuar.

Më 26 shtator gazetari shqiptar Kastriot Myftaraj, gjatë programit televiziv “Ju flet Moska”, kritikoi thirrjet e fundit për kryengritje në Iran bërë nga liderja e MEK-ut, Merjemj Rajavi, ku sipas Nenit 221 të Kodit Penal shqiptar, ndëshkimi për nxitje kryengritjesh shkon nga 15 vjet burg e sipër. Gjithashtu gazetari mori parasysh edhe nenin 265 b/c i kodit penal shqiptar që ndalon përfshirjen në operacionet ushtarake dhe veprimet e dhunshme në vendet e huaja.

Selia kryesore në Manzë

Shumë burime ndërkombëtare kanë dokumentuar praninë e një kompleksi të madh në afërsi të fshatit shqiptar Manzë që shërben si një bazë botërore e MEK-ut. Kompleksi tashmë është populluar edhe pse ende i përfunduar. Disa gazetarë vendas kanë dëshmuar praninë e rojeve të armatosura private jashtë kompleksit dhe roje të tjera nga brenda tij.

Gazetari shqiptar investigativ Gjergj Thanasi ka qenë ndër të parët që ka njoftuar për “Occhi della Guerra” praninë e muxhahidinëve në Manëz dhe dinamikën e tyre:

“Këshilli i Rregullimit të Territorit) është përgjegjës për dhënien e lejeve për ndërtimin e ndërtesave publike dhe private si (fabrika, hotele, shkolla, rrugë, etj). Ky Këshill kishte publikuar një listë të lejeve të lëshuara për një sërë objektesh dhe midis tyre ishte edhe një OJQ e quajtur F.A.R.A. Leja e dhënë për OJQ-në ishte e datës 16 tetor 2017 dhe tregonte autorizimin për “një kompleks banimi dhe shërbimi për komunitetin iranian në Shqipëri”. Në këtë pikë unë hetova F.A.R.A-an që çuditërisht binte në kundërshtim me ligjin shqiptar pasi nuk ishte regjistruar në zyrën e taksave dhe nuk kishte Nipt.

Pastaj vazhdova hetimet në zyrën e urbanistikës së qytetit të Durrësit (e njoh shumë mirë pasi që kam jetuar aty prej 52 vitesh); aty më treguan një kërkesë me shkrim nga F.A.R.A. në të cilën është kërkuar leje për ndërtimin e një shesh ndërtimi (gardh muri, rrjet ujësjellësi, energji elektrike, ambjente zyrash etj.) dhe doli që zyra nuk kishte lëshuar ndonjë leje për të gjitha këto. Kërkesa nuk kishte emër, adresë ose numër telefoni. Në këtë pikë unë shkova në Manzë (javën e parë të nëntorit 2017) për të parë se çfarë po ndodhte dhe u gjenda para një muri betoni të përfunduar, një rrjeti elektrik të instaluar tashmë dhe një rrjeti ujësjellësi për furnizimin me ujë. Kishte edhe një kompleks masiv me zyra brenda murit. Rreth oborrit kishte roje dhe gjithashtu edhe policë me uniformën e policisë së shtetit. Kompleksi ishte i vendosur pikërisht mes fshatrave Kulles dhe Manzëz dhe hyrjen e kishte nga rruga e Lalëzit”.

Në 10 gusht, gazetarja britanike Lindsey Hilsum e Channel 4 ju afrua kompleksit në Manëz për të dokumentuar ekzistencën e tij dhe u sulmua fizikisht nga disa anëtarë të Mek-ut. Sipas njoftimeve të mediave shqiptare, disa dëshmitarë thanë se rojet e sigurisë u përpoqën që ta ndalnin gazetaren dhe tia thyenin kamerat stafit, ndërsa disa anëtarë të Mek-ut goditën Lindsey Hilsumin. Në atë moment oficerët e policisë shqiptare arritën në vend dhe e ndalën sulmin dhe i shoqëruan gazetarët e sulmuar për në komisariat. Më vonë një zëdhënës i Mek-ut i tha medias shqiptare se gazetarët britanikë kishin qenë në kontakt me shërbimet sekrete iraniane dhe se nuk kishin njoftuar për ardhjen e tyre.

Rasti i Somayeh Mohammadit dhe intervista me disidentët

Një rast tjetër që ka ngritur shumë diskutime në Shqipëri është ai i Mostafa Mohammadit, babait të 38-vjeçares Somayeh, e cili u largua nga shtëpia e saj dhe u bashkua me grate militante të Mek-ut.

Mostafai shpjegon se si ai emigroi në Kanada me familjen e tij në vitin 1994 dhe se si ai kishte hyrë në rrethin e MEK-ut, duke e ndihmuar atë që herët në mbledhjen e fondeve. Gjatë kësaj kohe organizata filloi të ndryshojë nga ajo e para. Ajo i ndryshoi pikëpamjet e saj dhe u zhvendos në Irak, pikërisht në Kampin Ashraf nga ku do të luftonte regjimin iranian. Organizata i bëri gjatë kësaj kohe lavazho truri madje edhe motrës së tij dhe më vonë ajo do të vritej në luftë, mbase edhe u ekzekutua nga vetë organizata MEK. Vite më vonë një militante e MEK-ut i ishte afruar Somajes dhe i kishte thënë asaj se e kishte takuar hallën e saj (me të cilën vajza kishte një lidhje të ngushtë) dhe se donte ti tregonte asaj se ku kishte qenë dhe ç’kishte bërë. Pra, të dyja shkuan në një udhëtim dy javor. Që nga ajo kohë Somaja kurrë nuk u kthye më në shtëpi, duke i ndërprerë të gjitha kontaktet me familjen e saj.

Në korrik 2018 Mostafa Mohammadi udhëton për në Shqipëri në përpjekje për të kontaktuar me vajzën e tij, që ai thotë se mbahet kundër vullnetit të saj brenda kampit të MEK-ut në Manzë. Ai ka akuzuar disa anëtarë të MEK-ut për sulm ndaj tij, siç raportohet edhe nga media Shqiptarja dhe Gazeta Impakt të cilat publikuan gjithashtu edhe një video mbi rastin e dhunimit të Mostafait.

Gjyqësori kanadez, irakian dhe shqiptar janë shprehur kundër akuzave të Mohammadit, duke deklaruar se vajza është vullnetarisht anëtare e organizatës dhe duke qenë e rritur ajo është në gjendje ti marrë vetë vendimet e saj në mënyrë të pavarur për lirinë e saj.

Më 25 korrik 2018 Somaja dha një intervistë ku i hodhi poshtë akuzat e bëra nga babai i saj, duke pretenduar se ajo ishte një anëtare vullnetare e Mek-ut dhe e akuzoi babain e saj për bashkëpunim me shërbimet sekrete iraniane.

Programi investigativ shqiptar Fiks Fare arriti të kontaktonte me tre nga 200 disidentët që janë larguar nga organizata MEK dhe i intervistoi ata, siç raporton edhe Prishtina Post.

Të tre ata konfirmuan se muxhahidinët e vendosur në kampin në Manzë janë të gjithë luftëtarë të trajnuar mirë dhe se është rreptësisht e ndaluar që ata të mbajnë kontakte me familjet e tyre.

I intervistuari i parë, Sadala Sefi, tregoi se ai kishte lindur në vitin 1969 dhe se ishte bashkuar me Mek-un vullnetarisht në moshën 21 vjeçare për arsye ekonomike. Sefi shpjegoi se MEK nuk ka lidhje me lirinë. Në fakt ajo është “një organizatë e frikshme” me shumë agjentë brenda saj të cilët i detyrojnë pasuesit e saj të bëjnë atë që thonë liderët dhe është rreptësisht e ndaluar që të formosh një familje. Sipas Sefit problemi kryesor i atyre që dëshirojnë të largohen nga Mek është se në Shqipëri ata nuk kanë status refugjati, nuk mund të punojnë dhe nuk kanë para për të jetuar.

I intervistuari i dytë, Hasan Bidi, konfirmoi përgatitjen ushtarake të muxhahidinëve, duke shtuar se ai vetë ka mësuar shumë për armët dhe përdorimet e tyre; Bidi pohoi gjithashtu se Mek ka infiltruar shumë njerëz në Iran për të vendosur bomba dhe për të kryer sulme.

I intervistuari i tretë, Manuku Habdi, 55 vjec, prej të cilave 13 vite i kaloi në Mek, theksoi se në Shqipëri organizata po përpiqet të rindërtojë të njëjtin kontekst që ishte i pranishëm edhe në bazën e Irakut.

Për trajnimin ushtarak Habdi tha: “Kur isha pjesë e organizatës, isha anëtar i një grupi që ishte i lidhur praktikisht me të rinjtë në Iran. Ne u mësonim atyre si të luftojnë, sepse në organizatë të gjithë duhet të dinë si të luftojnë për të vrarë. Ne jemi të përgatitur ushtarakisht dhe dimë gjithçka për armët”.

Sa i përket kontekstit familjar, i intervistuari e bëri të qartë se vizitat në familjen e tij ishin të ndaluara në kampin Ashraf dhe se ai vetë nuk ka pasur kontakt as me vajzën e tij. Një situatë që është gjithashtu e pranishme edhe në Shqipëri pas marrëveshjes me qeverinë e Tiranës.

Përfundim

Çfarë është atëherë organizata MEK? Një grup disidentësh dhe të persekutuarish nga regjimi iranian? Një forcë sektare e opozitës e përbërë nga elementë të trajnuar ushtarakisht të gatshëm për të përmbysur regjimin? Një organizatë terroriste? (Sipas asaj që thuhet nga Teherani). Nga ku vijnë financimet e MEK?

Në gjeopolitikë është e njohur si një organizatë që mund të konsiderohet si “terroriste” ose “lëvizje për rezistencë” bazuar në krahasimet me shumë organizata të tjera si Vëllazëria Myslimane, Hezbollahu, OCP dhe “rezistenca siriane”. Ajo që është e sigurt është se është e vështirë të luftohet terrorizmi kur nuk mund të gjejmë as edhe një përkufizim të përbashkët të termit.

Ndërkohë, prania në Shqipëri e Mek-ut nuk bën gjë tjetër por e përkeqëson edhe më tej situatën delikate të Ballkanit, ku tashmë janë të pranishëm grupet xhihadiste dhe islamiste. Territori ballkanik i ngjason gjithnjë e më shumë një zone logjistike dhe tranziti në mbështetje të politikave të luftës në Lindjen e Mesme dhe e gjithë kjo në kurriz të stabilitetit rajonal, përfshirë dhe Italinë.

burimi: fb/occhidellaguerra/Gazeta Impakt

OPINIONE