Senatori amerikan Bernie Sanders paralajmëroi se javën e ardhshme do të zhvillohet votimi për rezolutat për të bllokuar shitjet e armëve në vlerë miliarda dollarë në Izrael.
“Javën e ardhshme, unë do të sjell në Senat disa Rezoluta të Përbashkëta të Mosmiratimit, në mënyrë që të bllokoj disa shitje të armëve sulmuese në Izrael”, tha Sanders në një deklaratë.
Ai theksoi se nuk ka dyshim se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është “në shkelje të qartë” të ligjit të SHBA-së dhe ligjit ndërkombëtar, pasi ajo zhvillon “luftë barbare” kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës.
“Lufta në Gaza është zhvilluar pothuajse tërësisht me armë amerikane dhe 18 miliardë dollarë të taksapaguesve amerikanë”, shtoi ai.
Sanders tha se SHBA-ja nuk mund të vazhdojnë të jetë “bashkëpunëtor” në këtë luftë duke ofruar më shumë ndihmë ushtarake dhe armatime për qeverinë e Netanyahut, duke theksuar se “Kongresi duhet të veprojë për të bllokuar këto shitje armësh”.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij shkatërruese në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas më 7 tetor 2023. Në sulmet izraelite janë vrarë më shumë se 43.700 palestinezë ndërsa enklava është bërë pothuajse e pabanueshme.
Izraeli përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza./AA