Serbët protestojnë sërish në veri: Plani i Prishtinës është të mos jemi këtu

Qindra qytetarë serbë, në mesin e të cilëve disa deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës, kanë protestuar për të tretën herë me radhë para selisë së EULEX-it në veri të Mitrovicës, kundër taksët 100% që Qeveria e Kosovës ka vendosur për mallrat serbe.

Në duar mbanin flamuj të Serbisë dhe pankarta me mbishkrimet “Stop dhunës nga Prishtina”, “Mos na lini në geto”, “Kemi të drejtë në bukë”, “Nuk kemi ilaçe” dhe të ngjashme.

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Igor Simiq, ka thënë se meqë Prishtina nuk po dëshiron t’ua mundësoj serbëve një jetë të dinjitetshme, atëherë serbët do të dëshmojnë se nuk ka më parti politike dhe se janë të bashkuar si kurrë më parë.

Sipas tij, serbët nuk pajtohen me planin e Prishtinës kundër tyre, që është siç u shpreh ai, thjesht të mos ketë serbë në Kosovë.

Ndërkaq, rektori i të ashtuquajturit Universitet i Prishtinës me seli në veri të Mitrovicës, Rade Grbiq, tha se institucionet e Prishtinës duan që t’ua marrin qytetarëve serbë të drejtën e arsimimit dhe të lirisë.

Pas fjalimeve të pranishmit i ka argëtuar grupi beogradas ‘Amadeus’, ndërsa u paralajmërua protestë edhe për nesër në të njëjtën kohë dhe vend.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne