Serbët zgjedhin nesër Presidentin e ri, favorit Aleksandër Vuçiç

Rreth 6.7 milionë votues serbë do t’u drejtohen nesër kutive të votimit për zgjedhje presidenciale, të cilat kanë potencialin të jenë më të çrregulltat në historinë e këtij vendi.

Si një test për popullaritetin e Kryeministrit Aleksandër Vuçiç, zgjedhjet do jenë një përballje e këtij ish-ultranacionalisti, të shndërruar në mbështetës i BE-së, me 10 kandidatë të tjerë nga opozita e fragmentuar.

Mbështetja për zotin Vuçiç është në nivelin rreth 50% dhe nëse ai fiton mbi gjysmat e votave nesër, ai do të shmangë një rivotim pas një muaji, ku opozita mund të arrijë një koalicion me një kandidat të vetëm.

Kritikët e tij paralajmërojnë se zoti Vuçiç po kërkon të kopjojë llojin e autokracisë të Rusisë nën Vladimir Putinin që i ka dhënë tashmë mbështetje kandidaturës së tij. Rivalët e kanë akuzuar zotin Vuçiç për baltosje të kandidatëve, për kontroll të mediave dhe për frikësim të votuesve.

Zoti Vuçiç, një ish-ministër i informacionit dhe propagandist i vijës së ashpër nën presidentin Sllobodan Millosheviç i kundërshton akuzat.

Partia e tij Progresive Serbe në pushtet bleu ditën e enjte hapësirat e faqeve të para të pothuajse të gjitha gazetave të përditshme, për të reklamuar logon kuq e blu të kandidatit të saj.

Megjithëse shumica e analistëve thonë se tashmë triumfi i zotit Vuçiç është i paracaktuar dhe debati rrotullohet vetëm rreth pikëve mbi 50% që i duhet atij për fitoren, shumë votues ngrenë pikëpyetje rreth aktiviteteve të fushatës që shërbejnë si tregues për një proces zgjedhor të manipuluar.

Mendoj se këto janë zgjedhjet më të parregullta për nga pikëpamja e fushatës elektorale”, thotë Cvijetin Milivojevic, analist mediatik me agjensinë Pragma, një firmë komunikimesh dhe e marrëdhënieve me publikun me seli në Beograd. “Do të shohim se si do të jetë situata e numërimit të votave”, shton ai.

Rasa Nedeljkov i Qendrës për Transparencë, Studime dhe Llogaridhënie thotë se vetëm 6 vëzhgues të OSBE-së do të jenë të pranishëm gjatë procesit.

Ai thotë se e gjithë stina elektorale është zhvilluar me një sfond korrupsioni të shfrenuar, frikësim të votuesve, rryshfete dhe baltosje.

Mund t’ju siguroj se kur nuk ka kontroll, kur nuk ka vetëndërgjegjësim që zyra e prokurorisë të reagojë kundër korrupsionit, kur votuesit përjetojnë frikësim dhe influencim nga eprorët për të votuar një kandidat të caktuar, kur u bëhet presion që të marrin pjesë në tubime politike, dhe kur e di që askush nuk do të më kontrollojë apo më arrestojë për këtë, atëherë unë si kandidat mund të bëj çdo gjë”, i tha zoti Nedeljkov shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës.

Ai shtoi se: “Situata na tregon se kushtet për të patur zgjedhje demokratike janë minimale. Nëse nuk ka sistem kontrolli, atëherë mund të presim që pjesëmarrësit mund të ndërmarrin veprime që komprometojnë cilësinë e procesit zgjedhor.

A mund të bëhet fjalë atëherë për një situatë më të keqe se epoka e Millosheviçit?

Kjo fushatë ka gjasa të mbahet mend për një përfaqësim jo të drejtë në media të kandidatëve presidencialë. Sipas një organizate joqeveritare, zoti Vuçiç mori 56% të mbulimit televiziv nga ish-kanali shtetëror RTS, tashmë i vetmi kanal publik televiziv dhe radiofonik i vendit. 10 sfidantët e tjerë ndanë mes tyre 44% të kohës së mbetur televizive.

Edhe në mediat komerciale, përqindjet ishin bindshëm në favor të zotit Vuçiç.

Kemi pesë kandidatë të opozitës që janë hedhur poshtë. Fatkeqësisht, shumica dërrmuese e votuesve serbë besojnë në atë çfarë shohin në kanalin publik RTS ose në kanalin Pink”, thotë zoti Milivojevic, duke iu referuar një konglomerati mediatik tabloid në Ballkan që është në pronësi të një manjati serbi, i cili mbështet publikisht dhe është i afërt personalisht me zotin Vuçiç.

Sipas programeve të këtyre kanaleve televizive, kandidatët e opozitës nuk janë të kualifikuar as për t’u përmendur dhe jo më që të shikohen si kundërshtarë seriozë. Ky lloj çklasifikimi nuk është parë as gjatë periudhës së Millosheviçit, ose të paktën jo në këto përmasa”, thotë zoti Milivojevic.

Zoti Nedeljkov i tha Zërit të Amerikës se Autoriteti Regullator i Mediave Elektronike të Serbisë (REM) njoftoi rishtazi se nuk do të monitoronte transmetimet televizive gjatë fushatës dhe se gjithashtu statuti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbetet i diskutueshëm.

Ai shtoi se edhe Agjensia Kundër Korrupsionit e Serbisë ka njoftuar se nuk do të monitorojë plotësisht votimin.

Zoti Nedeljkov thotë se: “E vetmja shpresë për këta kandidatë fatkeqë të opozitës është një shans i largët që të zhvillohet një raund i dytë, pasi ata as nuk mendojnë të fitojnë. Mendoj se kandidatët e vërtetë të opozitës do të futeshin në garë nëse do të bëhej një raund i dytë. Është vërtet një situatë marrëzie, pasi kandidatët e opozitës po garojnë kundër njëri-tjetrit për të fituar një raund të dytë që nuk dimë nëse do të ndodhë.”

Zoti Vuçiç gëzon një avantazh të fortë për shkak të mbështetjes së Partisë së tij Progresive Serbe dhe partive të koalicionit, ndër to edhe Partia Socialiste Serbe dhe Partia Social Demokrate.

Asnjë kandidat tjetër nuk gëzon mbështetje të tillë nga partitë kryesore serbe dhe madje disa prej kandidatëve nuk kanë asnjë parti që t’i mbështesë.

Serbia u bë republikë e pavarur në vitin 2006, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Serbia është vend kandidat për në BE që në vitin 2012 dhe ka filluar negociatat për anëtarësim në vitin 2014.

Voton edhe komuniteti serb në Kosovë

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, do të organizojë zgjedhjet presidenciale të Serbisë në Kosovë, nëpërmjet operacionit të quajtur “grumbullimi i votave”.

Në një njoftim të së premtes, kjo organizatë tha se me kërkesë të Beogradit dhe miratim të qeverisë së Kosovës, do t’u mundësojë qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë që të hedhin votën e tyre në zgjedhjet presidenciale të Serbisë që mbahen nesër.

OSBE-ja planifikon të hapë katër qendra të grumbullimit të votave me degë të ndryshme në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, siç u veprua për zgjedhjet e kaluara.

Misioni i OSBE-së thotë se do të jetë bartës i operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm dhe integritetit të procesit. Me t’u përmbyllur operacioni, OSBE do t’i mbartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë të Serbisë do t’ia dorëzojë ato Komisionit të atjeshëm Zgjedhor.

Serbët e Kosovës janë lejuar të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë meqë kjo u është garantuar me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë shpesh është kundërshtuar nga një numër subjektesh politike, të cilat pohojnë se në këtë mënyrë po pengohet integrimi i komunitetit serb. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet e së dielës në Serbi shihen si sprovë për politikat e kryeministrit aktual serb Aleksandër Vuçiç që ecën në vijën e ngushtë ndërmjet aspiratave për integrimet evropiane dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë. /VOA/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne