Serbi i Kosovës akuzohet për krime lufte ndaj popullatës shqiptare

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të premten akuzë kundër një ish pjesëtari të forcave të policisë serbe për krime lufte, nën dyshimet për torturimin e shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se i pandehuri që është identifikuar vetëm me nistoret N.A. “me datën 21 maj të vitit 1999, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, me ç ‘rast në mënyrë çnjerëzore i kanë torturuar të dëmtuarit J.Sh. dhe S.Sh. duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje të mëdha dhe dëmtime të rënda trupore, nga pasojat e të cilëve ata vuajnë edhe sot. Të njëjtën ditë, i pandehuri N.A. në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte gjetur dhe përvetësuar nga të dëmtuarit shumën e madhe të parave, disa vetura dhe gjësende të tjera me vlerë”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime thuhet në njoftimin e prokurorisë, “ai ka kryer veprën penale krime të luftës kundër popullsisë civile”.

Lufta gati dyvjeçare në Kosovë përfundoi pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe. Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 20 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave./balkanweb/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne