Serbia lobon për heqjen e taksës, Kosova dhe Shqipëria pa plan

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i ka kërkuar Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo që SHBA-të të ndikojnë te qeveria kosovare për të hequr taksën ndaj mallrave serbe, që më pas të rinisë dialogu mes dy vendeve.

Presidenti serb e takoi dje Sekretarin Pompeo në New York. Pas takimit, Vuçiç shkroi në Twitter se ‘është i lumtur që ka tërhequr vëmendjen e Pompeos [për çështjen Kosovë-Serbi], dhe se beson se Amerika do të jetë edhe më e përfshirë në zgjidhjen e konflikteve në rajonin [e Ballkanit Perëndimor].’

Ndërsa Sekretari Pompeo, në një postim në Twitter për takimin, theksoi se “normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të forcojë stabilitetin dhe prosperitetin për Serbinë, Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin transatlantik.”

Pak ditë më parë, dhe ambasadat amerikane, gjermane, franceze, italiane dhe britanike në Prishtinë dhe Beograd i kanë kërkuar Kosovës të heqë taksën ndaj mallrave serbe dhe të rinisë sa më shpejtë dialogun për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së.

Më herët dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini i ka kërkuar qeverisë kosovare të heqë taksën ndaj Serbisë, si e vetmja mënyrë për të rinisur dialogun mes dy vendeve.

Pothuaj të gjithë përfaqësuesit e huaj i kërkojnë Kosovës të heqë taksën ndaj mallrave serbe, pa mbajtur qëndrim për arsyen se përse qeveria e Kosovës e vendosi taksën.

Më 20 nëntor 2018, Kosova nuk mundi të anëtarësohej në INTERPOL, si pasojë e fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të saj.

Më 21 nëntor 2018, qeveria e Kosovës miratoi rritjen e taksës me 100 për qind për mallrat dhe produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Pra duket se presidenti serb Vuçiç prej kohësh ka qenë dhe vazhdon të jetë i angazhuar në një fushatë takimesh me faktorët ndërkombëtarë, me qëllim heqjen e taksës kosovare mbi mallrat serbe.

Por nga ana tjetër, qeveria kosovare dhe ajo shqiptare duket se jo vetëm nuk kanë bashkëpunuar për të mbrojtur interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, por duket se janë me axhenda të ndara nga njëra-tjetra.

Në maj 2019, Ramush Haradinaj akuzoi kryeministrin Rama se gjatë samitit të Berlinit ai dhe Thaçi i kanë bërë presion për të hequr taksën.

Po ashtu, Haradinaj ka shfaqur hapur dhe dyshimet se Presidenti i Kosovës Thaçi, Presidenti serb Vuçiç, Kryeministri i Shqipërisë Rama dhe Përfaqësuesja e BE-së Mogherini mund të kenë diskutuar më parë për shkëmbimin e territoreve, si zgjidhje e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto akuza Haradinaj i bëri publike pas disa pohimeve të mëparshme të të tjerë ish-zyrtarëve të lartë. Siç Exit.al ka sqaruar në këtë artikull, Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës; Vuk Jeremiç ish-Ministri serb; Sonja Birseko, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi dhe ish-Kryeministri i Suedisë Carl Bildt kanë pohuar se Rama, Vuçiç dhe Thaçi ishin nismëtarët e idesë së shkëmbimit të territoreve dhe po lobonin fort për të./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne