SHBA, 12 të vdekur në një sulm me armë zjarri në Virginia Beach

Të paktën 12 persona humbën jetën si pasojë e sulmit me armë zjarri në një qendër komunale në qytetin bregdetar Virginia Beach, ndërkohë katër të tjerë raportohen të plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefi i policisë lokale, James Cervera, i cili konfirmoi se 12 persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur, bëri të ditur se njëri ndër viktimat iu nënshtrua plagëve rrugës për në spital.

Sulmuesi hyri në ndërtesën e qendrës komunale në Virginia Beach pak pas orës 16:00 sipas kohës lokale, ku dhe hapi zjarr “pa dalluar”.

“Ai për një kohë të gjatë është punonjës i shërbimeve publike”, tha Cervera.

I dyshuari u vra duke shkëmbyer armë zjarri me oficerë të policisë.

Cervera tha se policia identifikoi sulmuesin, por nuk zbuloi emrin e tij derisa autoritetet të arrinin anëtarët e familjes së tij.

“Ne do të përmendim emrin e tij një herë dhe pastaj ai përgjithmonë do të referohet si i dyshuar”, tha ai.

Autoritetet gjetën një pistoletë të kalibrit 54 me karikator të vazhduar dhe një silenciator.

Kryebashkiaku i qytetit bregdetar Virginia Beach, Bobby Dyer, tha se sulmi ishte “çasti më i errët i Virginia Beach”.

“Ndodhi një krim i pakuptimtë dhe shkaktoi mjerim të jashtëzakonshëm ndaj popullit të Virginia Beach, shtetit dhe këtij vendi”, tha Dyer./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne