SHBA – Demokratët fillojnë zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit Trump

Nisma e parë për shkarkimin e presidentit amerikan është bërë pas një telefonate që ai ka pasur në korrik me homologun ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ku aludohet se Trumpi i ka kërkuar bashkëbiseduesit të hetojë rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.

“Veprimet e Trumpit minojnë sigurinë tonë kombëtare. Dhoma e Përfaqësuesve do të fillojë një hetim zyrtar akuzash për shkarkim. I udhëzova gjashtë komisionet tona të vazhdojnë hetimet e tyre nën këtë ombrellë. Presidenti duhet të japë llogari. Askush nuk është mbi ligjin”, njoftoi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ajo tha se do të ishte gabim nëse presidenti amerikan i ka kërkuar Ukrainës që të nisë një hetim për një rival të tij politik, edhe nëse kërkesa nuk do të kishte lidhje me zhbllokimin e miliona dollarëve ndihmë amerikane për Kievin.

“Çështja nuk është nëse ka pasur ose jo një shkëmbim favoresh në bisedën e tij telefonike me presidentin ukrainas”, u shpreh Pelosi duke nënvizuar se nëse presidenti ngre çështjen sepse dëshiron që ata të hetojnë rivalin e tij politik, atëherë kuptohet që kjo nuk është e drejtë.

“Ne nuk u kërkojmë qeverive të huaja të na ndihmojnë në zgjedhjet tona”, shtoi ajo.

Ndërkaq, ish-ndihmëspresidenti Biden, aktualisht kandidat paraprak i demokratëve për president, i bëri thirrje kreut të Shtëpisë së Bardhë që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e Kongresit mbi telefonatën që ka pasur me presidentin ukrainas.

Përkundrazi – paralajmëroi Bidden – Trumpi rrezikon të largohet nga posti./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne