SHBA dënon sulmin vdekjeprurës terrorist të YPG/PKK-së në Afrin

SHBA ka dënuar sulmin terrorist të YPG/PKK-së në Sirinë veriperëndimore ku mbetën të vrarë të paktën 40 civilë, duke përfshirë 11 fëmijë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë aktin e terrorit të kryer sot (të martën) në Afrin, Siri, duke marrë jetën e dhjetëra njerëzve që blenin në tregun qendror, ndërsa përgatiteshin për të prishur agjërimin e Ramazanit. Raportimet fillestare tregojnë se shumë viktima ishin civilë, përfshirë fëmijë”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus.

Ministria turke e Mbrojtjes ka njoftuar se të paktën 47 të tjerë u plagosën gjatë sulmit në qendër të qytetit Afrin, i kryer duke përdorur një cisternë karburanti të montuar me bombë.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shkroi në Twitter se SHBA përsërit thirrjen për mbështetjen dhe zbatimin e një armëpushimi mbarëkombëtar në Siri pas “aktit të sotëm frikacak të terrorit të kryer mbi viktimat e pafajshme në Afrin”.

“Akte të tilla të liga janë të papranueshme nga çdo anë në këtë konflikt”, shtoi ai.

Shumë ndërtesa u dëmtuan në rrugën Raju ku shpërtheu cisterna e karburantit, ndërsa personeli mjekësor i çoi të plagosurit në spitalet në qendër të Afrinit.

Në janar të vitit 2018, Turqia filloi një operacion të madh ushtarak, operacionin Dega e Ullirit, për të pastruar Afrinin nga elementet terroriste të YPG/PKK dhe çliruar qytetin dhe provincën.

Që nga viti 2016, Turqia ka filluar operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe të mundësojë zgjidhjen paqësore të vendasve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE) ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne