“SHBA dhe aleatët do të punojnë për të trajtuar sulmet në fabrikat saudite të naftës”

Ushtria amerikane do të trajtojë sulmet e fundjavës në fabrikat e naftës të Arabisë Saudite, tha Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper.

“Ushtria e Shteteve të Bashkuara, me ekipin tonë ndërinstitucional, po punon me partnerët tanë për të adresuar këtë sulm të paparë dhe për të mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla që po dëmtohen nga Irani”, tha Esper në Twitter.

Esper tha se ai në një takim në Shtëpinë e Bardhë se bashku me krerët e Pentagonit dhe zyrtarë të tjerë kanë informuar presidentin Donald Trump për situatën.

Shefi i Pentagonit gjithashtu tha se ka folur me princin saudit të kurorës, Mohammad bin Salman, dhe ministrin e Mbrojtjes së Irakut, Najah al-Shammari, gjatë fundjavës në lidhje me sulmin.

Të dielën, Trump përmes Twitterit shkroi se SHBA është “në gatishmëri” pas sulmeve të së shtunes në dy fabrikat shtetërore saudite të naftës “Aramco”.

Rebelët jemenas të mbështetur nga Irani morën përgjegjësinë për sulmet, por SHBA ishte e shpejtë për t’i mohuar këto pretendime.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në Twitter tha se “nuk ka prova se sulmet erdhën nga Jemeni”, duke akuzuar Iranin për kryerjen e “një sulmi të paparë mbi furnizuesin botëror të energjisë”.

Megjithatë, Irani ka mohuar çdo rol.

Një zyrtar i lartë nga administrata Trump tha për ABC News se Teherani nisi një duzinë raketash kryqëzuese dhe më shumë se 20 drona nga territori i saj.

Incidenti shkaktoi rritje të çmimit të naftës bruto, i cili të hënën u ngrit për gati 10 për qind./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne