Bota

SHBA drejt krijimit të forcës hapësinore, Rusia: Mund të çojë në katastrofë

Donald Trump duket se po promovon atë që mund të quhet faza e dytë e Luftës së Yjeve, të Ronald Reagan në vitet ’80. Ndonëse në atë kohë ky term nënkuptonte më shumë garën për zbulime dhe avancim në hapësirë, teksa sot presidenti amerikan po propozon krijimin e forcës hapësinore. Nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo gjë, po reagimi i parë ka ardhur nga rivali kryesor ushtarak i SHBA-së, Rusia, e cila e ka cilësuar militarizimin e hapësirës si një opsion që çon eventualisht drejt katastrofës.

Militarizimi i hapësirës është një rrugë drejt shkatërrimit. Ekziston rrezik i madh se amerikanët do të bëjnë shkelje të mëdha në këtë fushë, duke patur parasysh se çfarë bëjnë në fusha të tjera. Nëse SHBA tërhiqet nga marrëveshja e vitit 1967 që ndalon dislokimin e armëve bërthamore në hapësirë, kjo do të pasohet jo vetëm nga shteti ynë, por edhe nga shtete të tjera gjithashtu… citon agjencia ruse, Ria, kreun Këshillit Federativ Rus për Mbrojtjen, Viktor Bondarev.

Ai i është referuar një dokumenti ndërkombëtar sigluar nga dy superfuqitë e kohës, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, të cilat në vitin 1967 ranë dakord që të mos vendosin armë të shkatërrimit në masë në hapësirën e jashtme të Tokës. Pra në orbitë. Po kështu ky traktat ndalon shtetet pjesëmarrëse që të testojnë armë të çfarëdolloji në hapësirë, apo të ngrejnë baza ushtarake Hënë apo trupa të tjerë qiellorë.

Pala ruse ngjan të jetë shqetësuar nga deklarata e Trump që foli këtë të hënë për projektin e një presence permanente në Hënë, pa hequr dorë nga ambicia e një misioni njerëzor në Mars. Po kështu Trump ka përmendur termin dominim në hapësirë, i cili nuk mund të imagjinohet pa prezencë ushtarake dhe garancinë e sistemeve të avancuara.

OPINIONE