“SHBA e shqetësuar nga depërtimi i Kinës në ekonominë e Izraelit”

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu se janë të shqetësuar për “depërtimin” e Kinës në ekonominë e Izraelit dhe nga bashkëpunimi mes dy vendeve.

Pas takimit me Netanyahun dhe liderin e partisë “Kaltër dhe Bardhë”, Benny Gantz, sekretari Pompeo foli për Institucionin Transmetues Publik të Izraelit (KAN) para se të largohej nga Tel Avivi.

Në intervistën e tij, Pompeo tha se nuk dëshirojnë që Partia Komuniste e Kinës (Qeveria e Pekinit) të ketë ndonjë lidhje me infratrukturën e Izraelit.

“Bashkëpunimi i Izraelit me Kinën rrezikon punën e Washingtonit në projekte të rëndësishme me Tel Avivin”, tha Pompeo duke vënë theksin se lidhur me këtë çështje ka biseduar me Netanyahun dhe se i ka dhënë disa informacione të shërbimeve inteligjente se bashkëpunimi me Kinën rrezikon izraelitët.

Më tej Pompeo tha se nga Netanyahu ka marrë reagime të kënaqshme por se kjo çështje është ende në procesin e diskutimit.

Pompeo dje mbërriti në Izrael si pjesë e vizitës së tij të parë jashtë shtetit që nga fillimi i shfaqjes së koronavirusit të ri (COVID-19). Ai diskutoi me Netanyahun dhe Gantz shumë çështje përfshirë edhe planin për “Marrëveshjen e Shekullit”.

Pas takimit me Netanyahun dhe Gantz, sekretari Pompeo në një intervistë për “Israel Today” tha se “Izraeli ka të drejtën për të vendosur aneksimin e njësive të vendbanimeve në Bregun Perëndimor”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne