SHBA-ja po gabon, Turqia s’do të heshtë kurrë për Palestinën dhe Jerusalemin

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të shtunën nga Stambolli se vendi i tij do ta ngrejë gjithnjë zërin për Palestinën e Jerusalemin edhe sikur e gjithë bota të heshtë.

Shefi i diplomacisë turke mori pjesë dhe mbajti një fjalim në programin e quajtur “Takimi i Gazetarëve Arabë në Stamboll”.

Ai theksoi se Turqia nuk do të heqë dorë kurrë nga mbështetja e saj për Palestinën duke e cilësuar si të gabuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transferimin e ambasadës së tyre nga Tel-Avivi në Jerusalem.

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi të shtunën zhvendosjen në Jerusalem të objektit të ambasadës, e cila do të hapet zyrtarisht më 14 maj, një vendim ky që u prit me reagim nga kreu i diplomacisë turke.

“Ky vendim i SHBA-së është i gabuar, ne duhet të tregojmë qëndrim të përbashkët kundër këtij vendimi”, nënvizoi Çavusoglu.

Duke kritikuar pandjeshmërinë e botës arabe në lidhje me kauzën palestineze, ministri i Jashtëm turk vuri në pah se duhet thënë hapur që kohët e fundit në botën islame, sidomos brenda Ligës Arabe, ka disa hezitime dhe madje hapa prapa në këtë drejtim.

“Shohim që disa vende, të cilat i druhen SHBA-së, bëjnë hapa prapa për sa i përket mbrojtjes dhe mbështetjes së çështjes palestineze. Ky është një mendim shumë i gabuar, një gabim fatal. Historia dhe umeti nuk e falin këtë gjë. Këto shtete të mos i bëjnë presion as Jordanisë, as Palestinës. Turqia nuk do të heshtë, por do të vazhdojë të mbrojë kauzën palestineze edhe sikur askush të mos e mbrojë atë, edhe nëse të gjithë do të heshtin për çështjen e Jerusalemit”, tha Çavusoglu.

Gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë, më datë 6 dhjetor 2017, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pati njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëruar zhvendosjen e Ambasadës amerikane nga Tel-Avivi në Qytetin e Shenjtë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne