ShBA-ja ta lërë mënjanë gjuhën kërcënuese

“Gjuha kërcënuese tashmë duhet lënë mënjanë. Nëse flitet në formën ‘Unë bëj çfarë të dua’ si në filmat me kauboj, atëherë kjo do të ketë një përgjigje”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) në lidhje me marrëdhëniet (e Turqisë) me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Këto deklarata ministri i jashtëm turk i bëri nga Lituania, ku ndodhet për një vizitë zyrtare. Çavushollu mbajti një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit me homologen e tij lituane Linas Linkevicius.

Duke iu referuar kontakteve në Ankara të delegacionit amerikan, që kishte ardhur në Turqi për të biseduar mbi problemet mes dy vendeve, shefi i diplomacisë turke tha: “Ardhja e kongresmenëve në Turqi është e rëndësishme. Ka kongresmenë që punojnë për forcimin e marrëdhënieve (turko-amerikane). Megjithatë dialogu mbetet i rëndësishëm”.

Ndërsa në lidhje me pakënaqësinë që ka shkaktuar tek pala amerikane sistemi i mbrojtjes kundëraketore S-400 që Turqia do të marrë nga Rusia, ministri Çavushollu tha: “Për ti zhvilluar më tej marrëdhëniet, gjuha kërcënuese tashmë duhet lënë mënjanë. Turqia ka nevojë urgjente për sisteme të mbrojtjes ajrore. Ne patëm dëshirë që këtë sistem ta merrnim edhe nga vende të tjera, kryesisht nga ShBA-ja. Por këto vende nuk na e shitën neve sistemin, ose nuk deshën të na e shisnin. Por nga ana tjetër Turqia ka nevojë urgjente. Dhe për momentin, për fat të keq nuk kemi një aleat që të na përballojë këtë nevojë urgjente që ne kemi tani”.

Çavushollu foli edhe në lidhje me zërat kundër që po ngrihen brenda ShBA-së për dorëzimin Turqisë të avionëve luftarakë tip F-35, të cilët prodhohen në kuadër të një projekti të përbashkët, ku bën pjesë edhe Turqia.

“Në të vërtetë ne jemi partner i projektit F-35. Nëse dikush thotë: “Turqia le të dalë, kështu dua unë”, ‘unë bëj çfarë të dua’, si në shembullin e filmave me kauboj, atëherë natyrisht që do të ketë një reagim ndaj kësaj. Pastaj ne nuk jemi të detyruar të pajtohemi me çdo vendim që një vend merr në mënyrë të padrejtë ndaj një vendi tjetër (sanksionet amerikane kundër Iranit)”, nënvizoi Çavushollu.

Në fjalën e tij Çavushollu u ndal edhe tek marrëdhëniet e mira që ka Turqia me Rusinë.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk janë alternativë e marrëdhënieve që kemi me Bashkimin Evropian (BE) ose me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Politika e jashtme turke e ruan ekuilibrin”, tha Çavushollu./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne